Gogu: Bashkëpunimi me Gjermaninë në nivel të ri, vazhdon në BE
Në seancën e sotme plenare, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, paraqiti për miratim nga Kuvendi pr/ligjin për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Këshillit të Ministrave dhe Fondacionit gjerman “Hanns Seidel”.
Ky veprim vjen pas njoftimit zyrtar të palës gjermane për përfundimin e një kapitulli bashkëpunimi që ka zgjatur mbi 30 vite dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e institucioneve demokratike dhe forcimin e administratës shqiptare.
Gogu theksoi se Fondacioni “Hanns Seidel” ka qenë një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të Shqipërisë që nga vitet e para të tranzicionit, duke kontribuar në ndërtimin e shtetit ligjor, kualifikimin e administratës, mbështetjen e pushtetit vendor, përgatitjen e juristëve, si dhe në bashkëpunimin mes policive shqiptare dhe atyre të Bavarisë.
Ai nënvizoi se fondacioni ka luajtur rol të madh në etapën euroatlantike të vendit dhe se, sipas Komisionit Europian, Shqipëria tashmë është teknikisht e përgatitur për të mbyllur negociatat e anëtarësimit.
Përfundimi i kësaj marrëveshjeje, sipas tij, vjen në një moment kur bashkëpunimi me Gjermaninë do të vazhdojë në një nivel të ri, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Gjatë veprimtarisë së tij në Shqipëri, fondacioni i ka mundësuar Shqipërisë mbështetje të rëndësishme në fazat e para të tranzicionit, por edhe në anëtarësimin euroatlantik dhe sot që Shqipëria ka çelur të gjithë grupkapitujt dhe është, siç thotë Komisioni Europian, e kualifikuar teknikisht për të mbyllur negociatat në vitin 2027, fondacioni na ka lajmëruar që bashkëpunimi i Shqipërisë me Republikën Federale të Gjermanisë do të kryhet në “sallonin” e BE si anëtar kur Shqipëria ta kryejë këtë brenda vitit 2030 ashtu siç është njoftuar nga Komisioni dhe Parlamenti Europian, me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Gogu.
Ministri kërkoi miratimin e Kuvendit, duke shprehur mirënjohje të thellë për popullin gjerman, Landin e Bavarisë dhe institucionet që kanë mbështetur Shqipërinë në më shumë se tre dekada partneritet.
Fraksion.com

