Tabaku: Amnistia fiskale mundësi për pastrim parash dhe rrezik për ekonominë shqiptare
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi amnistinë fiskale të propozuar nga qeveria, duke e cilësuar atë si një rrezik për ekonominë shqiptare dhe për marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht ata europianë.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se amnistia fiskale, e quajtur “Paqja Fiskale”, është antikushtetuese dhe cënon barazinë para ligjit.
Ajo theksoi se kjo amnisti mund të krijojë mundësi për pastrim parash, duke hapur kanale të reja për bizneset që nuk janë të ndershme, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, të cilin e cilësoi si një “gangrenë” për ekonominë e vendit.
Deputetja Tabaku bëri me dije se opozita ka dërguar një letër, të nënshkruar nga deputetët e saj, drejtuar Parlamentit Europian dhe Komisionerëve të Komisionit Europian, për t’i informuar ata mbi rreziqet që kjo amnisti mund të sjellë për Shqipërinë.
Sipas saj, është e nevojshme që të garantohet transparencë në lidhje me përfituesit e kësaj amnistie, duke kërkuar informacion mbi kompanitë që mund të përfitojnë, si dhe mbi ata që janë evazorë fiskalë ose që kanë përfituar nga tenderat dhe koncesionet PPP.
Tabaku vuri në dukje se Ministria e Financave ka refuzuar të ofrojë informacion në lidhje me këtë çështje, një qëndrim që Tabaku e cilësoi si të papranueshëm.
“Ministria e Financave e ka refuzuar të japë një pasqyrë të tillë, duke krijuar dyshime mbi transparencën e këtij procesi”, tha Tabaku
Ajo theksoi se transparenca është çelësi për të kuptuar nëse qeveria ka vullnetin e duhur për të zbatuar këtë projekt dhe për të shmangur pastrimin e parave nëpërmjet këtij procesi.
Tabaku përmendi gjithashtu angazhimet e Shqipërisë për të zbatuar marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, duke shtuar se qeveria ka detyrimin për të kontrolluar burimet ilegale që hyjnë në ekonomi dhe për të siguruar mjedis të përshtatshëm për bizneset që operojnë në vend.
Fraksion.com

