Rama: Fluturimet Shqipëri-Kanada nuk fillojnë dot prej pezullimit të Ballukut
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale lidhur me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, masë kjo e vendosur nga GJKKO.
Ai shpjegon se përse, sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet të pranojë ankimimin e bërë nga Këshilli i Ministrave, ndaj vendimit të gjykatës.
Në platformën “X”, Rama thekson se sot janë mbyllur diskutimet teknike dhe se pala kanadeze ka dhënë miratimin përfundimtar, duke hapur rrugën për marrëveshjen dypalëshe me Kanadanë, për nisjen e fluturimeve transoqeanike. Por, sipas tij, procedura nuk mund të ecë përpara, pasi Kushtetuta ja jep vetëm ministrit kompetencën për miratimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, detyrë që nuk mund t’i delegohet askujt tjetër.
Kryeministri shton se në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë gjithashtu të bllokuara edhe 36 akte të tjera, përfshirë 18, që lidhen me procesin e rindërtimit, të cilat nuk mund të firmosen për shkak të pezullimit të Ballukut.
“Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik:
Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi ne fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit.
Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara”, shkruan Rama.
Masën e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga GJKKO-ja, Këshilli i Ministrave e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.
Fraksion.com

