Çështja “Balluku”, Gjykata Kushtetuese vendos më 12 dhjetor për shqyrtimin
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet më 12 dhjetor për të shqyrtuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama, i cili ankimoi vendimin e pezullimit të zv/kryeministres Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme.
Shkak është bërë, siç njoftoi gjykata Kushtetuese, kompleksiteti i çështjes, volume i materialeve shoqëruese, agjenda e gjykatës si dhe kërkesa e disa prej anëtarëve të saj.
“Në vijim të njoftimeve të mëparshme për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj. Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese”, njoftoi GJK.
Më 2 dhjetor, kolegji i Gjykatës Kushtetuese i përbërë nga Sandër Beci, Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, nuk arriti dakordësinë në lidhje me këtë çështje, duke u ndarë 2 me 1, dhe vendimi i pakicës e kaloi automatikisht në Mbledhjen e Gjyqtarëve.
Tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të marrin një vendim në lidhje me këtë çështje me shumicë votash.
Kryeministri Edi Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet tij dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme, nga ana tjetër, lidhur me vendimin e pezullimit nga detyra të zonjës Balluku, me argumentin se ky vendim cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve që Kushtetuta ka caktuar.
Fraksion.com

