Celibashi: Brenda dhjetorit të miratohet ligj i ri për financimin e partive politike
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot se brenda këtij muaji, duhet miratuar një ligj i ri, që duhet të adresojë ndryshe çështjen e financimit periodik të partive politike.
Ai i bëri të ditura propozimet konkrete të KQZ-së në konferencën: “Ndërtimi i besimit në votime: Financimi politik dhe Reforma Zgjedhore në Shqipëri”, të organizuar nga International IDEA dhe Qendra për Sundimin e Ligjit e Universitetit të Helsinkit, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Kemi nevojë për rregulla të përmirësuara në lidhje me financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Një ligj që të na garantojnë qartësi se kush financon kë si dhe sa, auditim të plotë dhe eficiencë të institucioneve mbikëqyrëse dhe kontrolluese të financimit”, tha Celibashi.
Sipas kryekomisionerit, raportet vjetore të KQZ-së për 3 vitet e fundit tregojnë nivel të ulët të raportimit financiar të partive.
“Në vitin 2024, 84 parti nga 135 të regjistruara, nuk kanë dorëzuar raport financiar vjetor në KQZ. Në vitin 2023 ishin 82 nga 132 parti të regjistruara në atë kohë dhe në vitin 2022, 83 nga 131 parti politike nuk e dorëzuan raportin financiar. Në vitin 2024, 38 parti politike ishin të paaksesueshme ose të pakontaktueshme për pasaktësi të adresës ose mungesë së kontakteve të tjera. Në 2023-in ishin 69 parti, mbi gjysma e partive, që mund të përkufizohen si jo funksionale në aspektin administrativ”, tha Celibashi sa i përket mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e partive.
“Kontrolli vjetor duhet bërë vetëm tek partitë që kanë një aktivitet fiananciar real, kanë një status aktiv tek regjistrat përkatës dhe përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit. Kështu do eliminohej auditimi formal i partive që praktikisht nuk ekzistojnë”, theksoi ai.
Partitë që nuk do të raportojnë, u shpreh Celibashi, nuk do të marrin dot pjesë në zgjedhje. Nëse këto parti kanë marrë financim pa raportuar, do të përballen me sanksione financiare.
“Pagesa e audituesve dhe përzgjedhja e auditimit të përcaktohet nga një strukturë e vetme, pra KQZ-ja, duke shmangur konfliktin e interesit dhe duke standardizuar cilësinë e auditimit”, tha ai, duke shtuar se nevojiten edhe sanksione të forta e proporcionale.
“Duhet të ketë gjoba që lidhen me përqindjen e fondeve publike të marra, pezullim të fondeve publike për vitin pasardhës, koniskim fondesh e deri në përgjegjësi penale kur është rasti i shkeljeve të rënda abuzive”, nënvizoi kryekomisioneri.
Në vazhdën e masave që duhen marrë, ai përmendi edhe një platformë të monitorimit financiar në kohë reale të partive politike.
Sa i takon sistemit elektronik, vuri theksin te lidhja direkte e tij me bankat dhe institucionet financiare duke regjistruar automatikisht çdo transaksion, sinjalizim për shkeljet dhe bllokim kur ka fonde të dyshimta.
Në lidhje me financimin e subjekteve të tretë dhe reklamave digjitale, u shpreh se rekomandohet regjistrim i detyrueshëm, raportim i shpenzimeve dhe krijimi i një regjistri publik, identifikim i sponsorave si dhe ndalim i financimit nga subjekte të huaja.
Celibashi nënvizoi se ka ardhur koha për një arkitekturë të re të financimit politik.
“Një financim më i mbikëqyrur, më i standardizuar, më transparent, ku auditimi është i pavarur dhe ku sanksionet janë efektive”, përfundoi kreu i KQZ-së.
Konferenca organizohet nga International IDEA dhe Qendra për Sundimin e Ligjit e Universitetit të Helsinkit, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe fokusohet në sfidat dhe zhvillimet më të fundit që lidhen me financimin politik dhe proceset zgjedhore në Shqipëri.
Gjithashtu në konferencë u prezantuan gjetjet paraprake të një studimi të International IDEA mbi aksesin në financimin politik për të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara.
Fraksion.com

