Në arrest shtëpie – Drejtori i KESH paraqitet në SPAK i shoqëruar nga policia
Erald Elezi, drejtori i KESH paraqitet në SPAK i shoqëruar nga policia.
Ai ndodhet në masën e sigurisë arrest shtëpie me vendim të GJKKO si i përfshirë në skandalin “Balluku”.
Belinda Balluku, Evis Berberi dhe Erald Elezi akuzohen nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në njoftimin e saj për shpalljen e masave të sigurisë për të pandehurën Belinda Balluku dhe vartësit e saj, në lidhje me hetimet për prokurimet e tenderit të Unazës së Madhe dhe tunelit të Llogarasë, sqaron se Balluku në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe “në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale; Evis Berberi, Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjatë këtyre dy procedurave të prokurimit janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin, nr. 162/2020, “Për Prokurimin Publik”, VKM nr.285, datë 19.05.2021,“Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Tenderi për lotin 4 të Unazës me vlerë rreth 20 mln euro është fituar nga bashkimi i kompanive Euroteorema, Pevlaku dhe NOVA Construction.
Hetimet e SPAK kanë gjetur të dhëna se edhe ky tender është diktuar nga Belinda Balluku dhe është i paracaktuar. Ndaj saj është ngritur pikërisht akuza e re gjithashtu për shkelje të barazisë në tendera për rastin e Unazës së Madhe. Mendohet të kenë qenë sërish bisedat e Ballukut me vartësit e saj që kanë hedhur dritë mbi aferën e radhës, njësoj si në rastin e tunelit të Llogarasë.
Kriteret për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe dyshohet sipas SPAK të jenë vendosur specifikisht për të favorizuar kompanitë e ndërtimit Euroteorema, Pevlaku dhe NOVA Construction.
Fraksion.com

