AktualitetPolitikëTë fundit

Ambasadori Gonzato i përgjigjet “akuzave” për njëanshmëri: Raporti i progresit është busulla ime

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato tha sot se raporti i Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë, është “busulla e tij” dhe se sipas tij aty evidentohen meritat si dhe mangësitë që duhen trajtuar.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për “njëanshmëri”, gjatë një interviste televizive për Top Channel, Gonzato tha se kritika nuk e shqetëson, ndërsa nënvizoi se roli i tij është të ndihmojë Shqipërinë të bëhet pjesë e BE-së.

“Akuza është fjalë e fortë, kritika nuk më shqetëson, por më bën të reflektoj. Për mua cila është busulla ime, raporti i progresit, jep merita aty ku duhet dhe thekson mangësitë e pengesat që duhen trajtuar. Kjo është ajo ç’kam bërë unë në konferencë. Ka njerëz në Bruksel që kanë punuar shumë fort që kjo të ndodhë. Korrupsioni mbetet i përhapur dhe raporti i progresit është i qartë për këtë, i qartë isha dhe unë. Dua që njerëzit të më gjykojnë në bazë të asaj që bëj. Nuk jam aktor politik, unë përfaqësoj BE-në, roli im është të ndihmoj Shqipërinë të bëhet pjesë”, u shpreh Gonzato.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Gonzato sërish iu referua progres raportit që, sipas tij, është mjaft i qartë.

“Ne e pranojmë se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të kryera profesionalisht. Po kështu flasim edhe për mangësi si përdorimi i fondeve publike. Kjo është thënë që nga fillimi. Jam angazhuar dhe inkurajoj parlamentin që të ketë një komision të përbashkët parlamentar”, tha ai.

Sa i përket drejtësisë, Gonzato përsëriti se pavarësia e gjyqësorit nuk duhet të preket.

“Sa herë që më pyesin për sistemin e drejtësisë unë përsëris se reforma ishte një kriter absolut. Arkitektura që u ngrit me pavarësi të plotë, është diçka që nuk duhet të preket. Është në zemër të anëtarësimit. Kemi besim te drejtësia sepse kontribuoi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin. Kemi besim te qëndresa e gjyqësorit pavarësisht trysnisë. Pavarësia shkon krah për krah me llogaridhënien”, tha Gonzato.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com