Kërkimi parlamentar, Huber: Shqipëria ndodhet përpara një mundësie historike në rrugën drejt integrimit evropian
Në Ditën e Kërkimit Parlamentar, deputetë, ekspertë dhe përfaqësues ndërkombëtarë diskutuan rolin e Parlamentit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke vënë theksin te rëndësia e kapaciteteve kërkimore në hartimin e ligjeve.
Ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Ruth Huber, theksoi se, cilësia e legjislacionit nis nga mënyra profesionale e përgatitjes së tij, duke nënvizuar se bazat kërkimore të forta janë thelbësore për vendimmarrje të përgjegjshme dhe efektive.
Sipas saj, kërkimi i mirëfilltë u jep deputetëve mundësinë të përmirësojnë ligjet duke mbështetur vendimet në fakte, me qëllim sjelljen e më shumë përfitimeve për qytetarët.
Ajo rikujtoi se me mbështetjen e Zvicrës, Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur Institutin Parlamentar, i cili synon të forcojë kapacitetet kërkimore dhe profesionalizmin e procesit ligjvënës.
Ambasadorja Huber vlerësoi se, “Shqipëria ndodhet përpara një mundësie historike në rrugën drejt integrimit evropian”, një proces që, sipas saj, “është më afër se kurrë”.
Ajo theksoi se, ky rrugëtim kërkon përfshirjen e gjerë të institucioneve, duke përfshirë fuqizimin e rolit të Parlamentit në përgatitjen e kuadrit ligjor.
“Një parlament me kapacitete të forta kërkimore është më efektiv në ushtrimin e funksioneve dhe në mbikëqyrjen demokratike”, u shpreh Huber, duke shtuar se përvojat e parlamenteve evropiane mund të japin ndihmesë të çmuar në këtë drejtim.
Ajo e mbylli fjalën duke vlerësuar ritmet e larta të bashkëpunimit mes Zvicrës dhe Shqipërisë, si dhe rëndësinë e diskutimeve të tilla që synojnë ndërtimin e politikave më të mira dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Fraksion.com

