ERE licencon një tjetër kompani të Voltalia-s: Spitalla të nisë operimin brenda dhjetorit 2027
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) licencoi në veprimtarinë e prodhimit të energjisë centralin e dytë të francezëve të Voltalia-s. Shoqëria “Spitalla Solar” mori miratimin pas aplikimit teksa për finalizimin e plotë të ndërtimit do të duhet kohë.
Licencimi është kusht paraprak që duhet të plotësohet nga kompanitë që synojnë ndërtimin e impianteve ashtu sikurse janë edhe marrëveshjet me Operatorin e Sistemit të Transmetimit për pikën e lidhjes. Konkretisht në një vendim të datës 17 nëntor ERE mori në shqyrtim kërkesat që i kishte lënë kompanisë si kusht për licencimin dhe pas plotësimit të tyre ka vendosur miratimin.
Impianti fotovolatik për të cilin Spitalla Solar ka marrë licencën është 90 MW. Në vendimin e tij Enti saktëson se kompania duhet që të plotësojë kushtet që lidhen me afatet e operimit por edhe një sërë kërkesash të tjera që janë vendosur ndaj kompanisë dhe që janë objekt rishikimi nga ky rregullator.
“Shoqëria “SPITALLA SOLAR” sh.p.k. duhet të fillojë operimin e centralit brenda datës 31.12.2027. 4. Me fillimin e operimit, por jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga ky fakt, shoqëria duhet të dokumentojë në ERE kolaudimin e veprës dhe të depozitojë informacion të përditësuar në lidhje me stafin teknik efektiv në strukturën e saj organizative” thuhet në vendim.
Projektet e Voltalia
Voltalia fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë në vitin 2020 ku ofroi një çmim 24,89 euro për megavat. Sipas marrëveshjes 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Sa i takon Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh.
Parku Fotovoltaik i Spitallës u shpall në garë për një kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë.
Impianti i Karavastasë nisi operimin tregtar në fund të 2023-it. Gjithsesi viti i plotë i operimit të tij është 2024-a kur prodhoi 258,383 MW energji që përbënte 3.2 për qind të prodhimit neto vendas. Kompania kishte një qarkullim prej 35 milionë eurosh dhe një fitim prej 20 milionë euro.
Kompania ka shfaqur interes për të thelluar më tej angazhimin e saj në Shqipëri ku pak kohë më parë ishte aktive me një fushatë ku kërkonte toka të disponueshme për instalimin projekteve potencialë në fotovoltaikë./monitor
Fraksion.com

