AktualitetPolitikëTë fundit

Pezullimi i Ballukut, qeveria: Ndërhyrje në ekzekutiv

Më 21 nëntor, Këshilli i Ministrave iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një shkresë për të pezulluar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila pezulloi nga detyra Belinda Ballukun nga postet e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në këtë shkresë të siguruar nga Klan News, ku kërkues është Kryeministri Edi Rama, argumentohet se lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së “do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakuum institucional”.

Më tej renditen edhe pasojat që mund të sjellë mungesa e ministrit në detyrë.

“Mungesa e ushtrimit të pushtetit ekzekutiv, qoftë edhe në një fushë të përgjegjësisë, sjell pasoja të rënda për interesin shtetëror e shoqëror, duke krijuar vakuum institucional në realizimin e pushtetit ekzekutiv, por edhe të vetë pushtetit legjislativ, pasi pamundëson propozimin e projektakteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projektakte për t’u miratuar deri në fund të vitit 2027, nga ministria që udhëhiqet nga ministri i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”.

Kryeministri në argumentet e tij rendit edhe arsyet pse ky pezullim është antikushtetues.

“Cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, i cili, sipas pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës, gëzon imunitetin e deputetit.

Cenon parimin e ndarjes së pushteteve, të parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës, duke vendosur pezullimin nga detyra të ministrit, si organ kushtetues i një pushteti tjetër, dhe pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.

Në përfundim të shkresës së firmosur nga vetë Rama, kërkohet shfuqizimi i këtij akti pezullimi, duke zgjidhur edhe mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet GJKKO-së dhe Kryeministrit.

Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo akuzohet për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe atë të lotit 4 të Unazës së Madhe.

Ndërsa në arrest shtëpie janë edhe dy zyrtarët: kreu i ARSH-së, Gentian Gjyli, dhe drejtori i KESH-it, Erald Elezi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com