Kush është Hamza Uka- U vetëdorëzua i plagosur te RENEA në Fushë Arrëz
Hamza Uka, njëri prej të armatosurve që iu dorëzuan policisë mbrëmjen e sotme, pas dhjetëra orëve negociata dhe thirrje nga RENEA, rezulton të jetë i plagosur.
Ende nuk është e qartë se si është plagosur pasi policia dhe RENEA nuk kanë shtënë drejt banesës ku po fshiheshin Hamza Uka dhe Julian Cumraku.
Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se të dy personat janë ndjekës të besimit fetar mysliman, me prirje radikale. Ka qenë policia e Shkodrës dhe Komisariati i Pukës që janë vënë në dijeni dhe pastaj RENEA.
Për 6 orë kanë negociuar forcat RENEA, por nuk kanë bindur dot për vetëdorëzim dhe të mos qëllohej. Vëllai dhe motra e Cumrakut kanë negociuar dhe e kanë bindur të vetëdorëzohet.
Në këto momente RENEA po ushtron kontroll me qen anti-eksploziv dhe anti-minë. Nga banesa janë bërë thirrje që konsiderohen terroriste.
Ata pritet të shoqërohen në polici dhe më pas në Tiranë, ku do të merren në pyetje, për të shpjeguar pse ishin të armatosur.
“Nga anti-terrori më kanë konfirmuar se Hamza Uka, ka qenë në vëzhgim prej kohësh. Në Facebook shpërndante thirrje ekstremiste, radikale, thirrje për luftën ne Siri dhe hoxhallarë që bëjnë thirrje ekstremiste” – Lala.
Ndërsa gazetari Ferdinand Dervishi rindërtoi profilin e personit të shumëkërkuar Hamza Uka. Dervishi tha se Hamza Uka që emrin e vërtetë e ka Erzen, ka qenë komando në Afganistan dhe prej nga aty, u kthye i radikalizuar dhe se ishte dënuar me 3 vite burg, ndërsa kishte kërcënuar edhe gjyqtarin dhe prokurorin në gjyq.
“Hamza në gjuhën arabe do të thotë Luan. Ai e ka emrin Erzen, por nuk e dimë nëse personat e dorëzuar janë këta, do të verifikohet. Erzeni është arrestuar në 12 dhjetor 2019 për terrorizëm, si person me pritje radikale dhe ka qenë komando në Afganistan. E çuditshme është që të shkosh atje për të luftuar terrorin dhe të kthehesh radikal. Është gjetur video ku u mësonte fëmijëve se si të stërviteshin.
Është mbrojtur dhe kanë thënë se këto janë private. U dënua 3 vite burg në 2019 dhe e kreu. Në sallën e gjyqit kërcënoi gjyqtarin dhe prokurorin Eugen Beçi dhe madje futi edhe njerëz nga jashtë për t’i kërcënuar. Ky njeri është ndër personat më të vëzhguar nga anti-terrori për problemet që ka paraqitur për lidhjet dhe mënyrën si funksionon”- tha Dervishi.
Fraksion.com

