AktualitetPolitikëTë fundit

GJKKO lë në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, arrest shtëpie për dy vartësit e saj

Pas një seance që zgjati 4 orë, Gjykata e Posaçme la në fuqi vendimin për ta pezulluar Belinda Ballukun nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Po ashtu Ballukut i ndalohet dhe dalja jashtë vendit. Në fuqi qëndroi dhe masa “Arrest shtëpie” dhënë për 2 vartësit e saj.

Ashtu siç ishte parashikuar Belinda Balluku kaloi derën e Gjykatës së Posaçme në orën 9 të kësaj të shtune veshur me një kostum me ngjyrat kombëtare.

Seanca zgjati rreth 40 minuta dhe më pas u ndërpre, pasi mbrojtësit kërkuan kohë të njihen me provat e reja që SPAK ka për çështjen e lotit 4 të unazës së madhe për të cilën Belinda Balluku është e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera. Ndërsa faktet që SPAK ka për tunelin e Llogarasë ishin të njohura nga palët pasi me herët u është komunikuar akuzat.

Kohën e kërkuar nga avokatët numri 2 i qeverisë e shpenzoi jashtë godinës së qelqtë, ku u rikthye vetëm kur seanca rinisi në mesditë.

4 orët e seancës ishin një përplasje juridike mes mbrojtjes dhe prokurorit Dritan Prençi i cili argumentoi para gjyqtarit Erjon Çela se masat duhet të vazhdojnë të zbatohen pasi ekziston mundësia që të pandehurit ti fshihen drejtësisë, të intimidojnë dëshmitarët duke qenë se i kanë vartës, të prishin provat që kanë vlerë për këtë hetim apo të ripërsërisin në vepër penale kjo për shkak të pozitave që mbajnë.

Nga ana tjetër mbrojtësja e Belinda Ballukut u shpreh e hapur për hetimin por kundërshtoi pezullimin nga pozicioni i zv.kryeministres dhe ministres me argumentin se janë detyra për të cilat ajo është e zgjedhur me votë. Pavarësisht përplasjeve të argumenteve vendimet u lanë në fuqi dhe Belinda Balluku dhe dy vartësit e saj e pranuan në heshtje duke refuzuar të prononcohen për mediat. Tashmë do të shihet hapi i radhës i tyre nëse brenda 5 ditësh do ta kundërshtojnë këtë vendim në Apel.


Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com