AktualitetPolitikëTë fundit

Tirana mirëpret sot Samitin për Planin e Rritjes të BE për Ballkanin Perëndimor

Shqipëria do të mirëpresë sot në Pallatin e Brigadave Samitin për Planin e Rritjes “Rruga jonë në BE” (Growth Plan “Our pathway to EU”), një ngjarje e rëndësishme ku pritet të mblidhen liderët e Ballkanit Perëndimor së bashku me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.

Takimi do të fokusohet në Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe afrimin e rajonit me Tregun e Bashkimit Europian.

Gjatë samitit, do të diskutohen mënyrat se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga nismat e reja të BE-së, të rrisin harmonizimin ekonomik dhe të avancojnë reformat që shpejtojnë procesin e anëtarësimit në BE.

Sipas agjendës së njoftuar, samiti do të nisë në orën 09:30, kur do të zhvillohet sesioni i mirëseardhjes dhe deklaratat para medieve.

Më tej, është parashikuar që në orën 10:00 të fillojnë punimet, të cilat do të hapen me fjalët e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisioneres Marta Kos.

Po ashtu, është bërë e ditur se rreth orës 11:30 do të mbahet fotoja familjare e liderëve pjesëmarrës, ndërsa menjëherë pas saj, në 11:35, do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Komisioneres Kos.

Samiti pritet të prodhojë mesazhe të rëndësishme mbi zbatimin e Planit të Rritjes dhe hapat e përbashkët të vendeve të rajonit drejt integrimit më të shpejtë në tregun dhe strukturat e Bashkimit Europian.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com