AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Mbërritjet e parregullta nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar thuajse janë zhdukur

Kryeministri Edi Rama iu referua sot deklaratës së Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood për 700 familjet shqiptare të cilave u është refuzuar azili, ndërsa shtoi se “shqiptarët që marrin përfitime nga Mbretëria e Bashkuar janë të papërfillshëm në numër, krahasuar me komunitete të tjera”.

Në çeljen e Vitit Akademik 2025-2026 të Kolegjit të Europës në Tiranë, Rama vlerësoi se ky është një moment i rëndësishëm që shënon fillimin e një kapitulli të ri për studentët e rinj dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të thellë me familjen europiane.

Falë jush, theksoi Kryeministri, kemi këtu një pikë horizonti mes asaj që Europa është dhe asaj që Europa duhet të bëhet.

“Ky është viti i dytë kur të rinjtë europianë janë këtu në Shqipëri për të mësuar se si transformon Europa vetveten”, shtoi Rama, ndërsa kujtoi se Shqipëria është një vend shumë i rrallë në Europën e sotme, ku ëndrra europiane është ende e freskët, urgjente dhe emocionale.

Kryeministri kujtoi se Europa nuk është gjeografi, por është një zgjedhje.

“Europa nuk është një vend, por është vendim. Vendimi për të zgjedhur bashkëpunimin përkundrejt përplasjes, ligjin përkundrejt forcës, dialogun në vend të bërtitjeve, të vërtetën në vend të stereotipeve”, tha kryeministri Rama.

Në këtë drejtim, Kryeministri solli në vëmendje një shembull të vogël por që flet shumë, deklaratën e Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar.

“Pak ditë më parë ajo përmendi publikisht rreth 700 familje shqiptare që jetojnë në strehime të financuara nga paratë e tatimpaguesve britanikë pas refuzimit të aplikimeve të tyre për azil, për të justifikuar një valë të re të rikthimeve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se bëhet fjalë për 700 familje në një vend prej 67 milionë banorësh, “një pëshpërimë statistikore e fryrë në një sirenë politike”.

“Po e përmend këtu këtë në Kolegjin e Europës në Tiranë aspak për t’u ankuar, as për të dramatizuar e jo më për ta ngatërruar BE-në, por pikërisht sepse është kjo lloj retorike politike që gjithë Europa duhet t’i rezistojë nëse do të mbetet besnike e vetes dhe nëse do t’ia dalë në një botë që po ndryshon në mënyrë dramatike”, shtoi Rama.

Rama theksoi se kur një ministre europiane, edhe pas BREX-it që mund edhe ta kuptojmë, zgjedh të veçojë një bashkësi të vogël për të fituar pikë politike, ka diçka shumë të rëndësishme që tregohet qartë.

“Frika flet më fort se faktet. Ende demagogjia vijon të gjejë një audiencë të madhe. Faktet janë të qarta kristal: që nga viti 2022 falë një pune intensive të palodhur, të përbashkët,  mbërritjet e parregullta nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar thuajse janë zhdukur”, tha Rama.

Sipas tij, shqiptarët janë kontribues neto në ekonominë britanike. “Shqiptarët që marrin përfitime nga Mbretëria e Bashkuar janë të papërfillshëm në numër krahasuar me komunitete të tjera. Megjithatë e njëjta histori vazhdon, sepse historia është e përbindshme”, shtoi Rama.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com