AktualitetPolitikëTë fundit

Qeveria çon në “Kushtetuese” vendimin për Ballukun

Qeveria ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese ankimimin ndaj vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, raportojnë mediet.

Më herët ky vendim u bë me dije nga Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për mediet me Komsioneren për Zgjerim, Marta Kos mbajtur në kuadër të Samitit për Planin e Rritjes, “Rruga jonë drejt BE”.

Rama deklaroi se: “S’ka ndodhur kurrë që, një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie, por dhe ky është një “por” shumë i madh, nëse një prokuror special dhe nëse një gjykatës special i shkallës së parë të Speciales këtu në Shqipëri, kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenim i drejtpërdrejtë i pavarësisë dhe funksionimit të një pushteti tjetër të pavarur siç është ekzekutivi, duke marrë kompetencat e një kryeministri, të presidentit dhe të parlamentit, prej nga buron mandati i qeverisë dhe i çdo ministri, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt, është strategjikja si gjithmonë, për ta ruajtur dhe për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, si parakusht edhe në ketë rast ekstrem”.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se “ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë lloj arbitrariteti dhe as do të angazhohemi në një betejë politike retorike me drejtësinë, por do ta ruajmë dhe do ta mbështesim pavarësinë e gjyqësorit, do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe ndërkohë, do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm tek drejtësia në Gjykatën Kushtetuese”.

“Këta jemi ne. Ky jam unë dhe kështu do të jetë deri në fund, kur unë të kem privilegjin që të udhëheq Shqipërinë për ta bërë anëtare të BE. Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme të sistemit të drejtësisë, është prioriteti ynë absolut edhe përballë situatave kaq flagrante, sa kjo situatë për të cilën, po drejtësia duhet të gjejë përgjigjen kushtetuese”, nënvizoi sot Kryeministri Rama.

GJKKO ka vendosur dy masa sigurie për Ballukun, atë të pezullimit nga detyra dhe ndalimin e lëvizjes jashtë vendit.

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com