“Rrebeshet vazhdojnë edhe sot”, moti i keq godet vendin, dhjetëra banesa të përmbytura. Disa familje të evakuuara
Reshjet e dendura të 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme të përkohshme në disa zona të qarkut, ndërsa strukturat e mbrojtjes civile raportojnë se situata është nën kontroll.
Sipas stacionit meteorologjik Gjadër, deri në orën 06:00 kanë rënë 55 mm shi, por reshjet janë ndërprerë në orët e para të mëngjesit.
Në Kurbin po punohet për pastrimin e kanaleve dhe sistemimin e rrugëve të dëmtuara, ndërsa një grup i Forcave të Armatosura po ndërhyn në aksin Skuraj-Vinjollë-Gallatë për riparimin e pjesëve të prishura nga prurjet e lumit. OSHEE njofton se një fider është me defekt, ndërsa vijojnë punimet për rikthimin e energjisë në zonat Skuraj, Gallatë e Vinjollë.
Edhe në Lezhë e Mirditë janë raportuar prezencë uji në disa ambiente dhe dëmtime të rrugëve rurale e urave, por mësimi vijon normalisht në të gjitha shkollat. Niveli i lumit Drin është ulur me 50 cm, hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë dhe ekipet në terren po monitorojnë vijimisht zonat me rrezik.
Probleme janë shfaqur në disa qarqe të vendit. Në Durrës, uji ka “përmbytur” rrugët e qytetit, ka prezencë uji në disa rrugë të qytetit. Më tepër problematike situata paraqitet te rrugët pranë kryqëzimit të stadiumit “Niko Dovana” dhe në hyrjen e rrethrrotullimit të lagjes 17.
Ndërkohë dhjetëra fshatra në qarkun e Gjirokastrës vazhdojnë të përballen me mungesë energjie elektrike si pasojë e motit të keq, që ka shkaktuar dëmtime në rrjetin e shpërndarjes.
Burime nga OSHEE konfirmojnë se shkarkesat atmosferike kanë dëmtuar edhe fiderat që lidhin zonat malore me rrjetin energjitik.
Mungesa e energjisë ka prekur edhe qytetin e Gjirokastrës, ku lagjet e sipërme kanë qenë pa rrymë gjatë natës dhe vazhdojnë të jenë edhe sot. Situata paraqitet më problematike në njësitë administrative të Lopësit, Kurveleshit, Krahësit, Luftinjës, Qesaratit, Zagorisë, Picarit, Lazaratit, Dropullit dhe Lunxherisë, ku banorët janë pa energji më shumë se 12 orë, raporton për Klan News, gazetarja Dorina Muhaj.
Ekipet e OSHEE ndodhen në terren për të rikuperuar dëmet dhe rikthyer furnizimin normal me energji elektrike.
Gjatë natës në qarkun Dibër kanë vijuar reshjet e shiut me intensitet mesatar, por pa shkaktuar problematika në terren. Strukturat vendore të emergjencave civile raportojnë se infrastruktura rrugore, si ajo kombëtare ashtu edhe rurale, është plotësisht e kalueshme.
Furnizimi me energji elektrike paraqitet normal, përveç njësisë Derjan në bashkinë Mat, ku ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë. Edhe furnizimi me ujë të pijshëm në qark është në parametra të rregullt.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Dibër vijon komunikimin me të gjitha institucionet për të garantuar gatishmërinë ndaj çdo situate të mundshme emergjente.
Fraksion.com

