Rama për gazetën holandeze: Shqipëria nuk kërkon veto e as komisioner për anëtarësimin në BE
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka dhënë sot, 19 nëntor, një intervistë për gazetën holandeze De Volkskrant, pas vizitës së tij në Hagë dhe takimit me homologun e tij Dick Schoof. Kreu i qeverisë ka folur mbi perspektivën e vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe sfidat që kanë penguar integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Rama ka theksuar se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet të heqin dorë nga e drejta e vetos, pasi kjo jo vetëm që pengon anëtarësimin, por mund të kërcënojë edhe unitetin e BE-së.
“Në vend që të largohemi, duhet më shumë Evropë”, ka thënë ai, duke shtuar se Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e një Evrope më të fortë dhe të bashkuar përballë sfidave globale dhe gjeopolitike.
Mark Rutte-n e ka cilësuar një politikan të shkëlqyer, edhe pse më herët kanë pasur mospajtime në disa çështje.
Një pjesë tjetër e intervistës së tij është fokusuar te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Rama ka pranuar se këto janë probleme serioze, por se vendi ynë po përparon me reforma, duke përdorur teknologjinë dhe digjitalizimin.
Kryeministri ka theksuar se Shqipëria është tani një nga vendet kandidate më premtuese për anëtarësim në BE, së bashku me Malin e Zi, dhe se përparimi në këtë drejtim është bërë më i mundur pas sfidave gjeopolitike të fundit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të Evropës për rëndësinë e stabilitetit në Ballkan.
Fraksion.com

