AktualitetTë fundit

Moti i keq godet vendin, përmbytje në Lezhë dhe Mat. Pezullohet lundrimi në Durrës

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar një situatë të rënduar në territorin e Bashkisë Mat.

Dëmtime të konsiderueshme janë shënuar në rrugët rurale të njësive administrative Macukull, Derjan, Rukaj, Baz, Komsi, Ulëz dhe Lis, ku qarkullimi është vështirësuar ose bllokuar plotësisht.

Prurjet e mëdha të ujërave kanë dalë nga shtrati i kanaleve dhe kanë përmbytur rrugë të qytetit dhe fshatrave. Disa fshatra të njësive Macukull dhe Derjan janë aktualisht pa energji elektrike, ndërsa rezervuarët në zona të ndryshme janë tejmbushur.

Në aksin  kombëtar Burrel–Milot është raportuar rënie gurësh dhe inertesh, duke krijuar rrezik për qarkullimin. Uji ka hyrë në oborret e disa shkollave, ndërsa në Baz dhe Lis disa banesa janë përmbytur ose paraqesin rrezik shembjeje.

Administratorët kanë raportuar që në orët e para të mëngjesit për situatën e krijuar në të tetë njësitë administrative, duke evidentuar rast pas rasti problematikat. Reparti i zjarrfikësve e nisi ditën me evakuimin e një familjeje në zonën e Bazit.

Lagjet e Lezhës “përmbyten” nga uji

Sipas informacioneve nga emergjencat civile, disa fshatra janë përballur me ndërprerje të energjisë si pasojë e defekteve në rrjet

Reshjet intensive të shiut të shoqëruara me shkarkesa elektrike kanë krijuar probleme të përkohshme në furnizimin me energji elektrike sot më 18 nëntor 2025, kryesisht në zonat rurale të qarkut Lezhë.

Sipas informacioneve nga emergjencat civile, disa fshatra janë përballur me ndërprerje të energjisë si pasojë e defekteve në rrjet.

Në Mirditë, prurjet e konsiderueshme të inertëve kanë dëmtuar disa segmente rrugore, por pa shkaktuar bllokime të qarkullimit. Ndërkohë, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë mbi rrugë, duke dëmtuar edhe linjën elektrike përreth.

Edhe brenda qytetit të Lezhës janë regjistruar probleme në bllokun “11 Janari”, ku ka patur prezencë uji në sipërfaqe, një situatë që përsëritet sa herë ka reshje të dendura.

Grupet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve, ndërsa bashkitë kanë angazhuar mjete dhe punonjës për largimin e inertëve dhe normalizimin e trafikut.

Në digat e Fani­t dhe Ulzës prurjet janë rritur ndjeshëm, por sipas autoriteteve nuk është arritur niveli kritik që kërkon hapjen e portave. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe deri më tani nuk raportohet për bllokime apo përmbytje.

 

Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com