Gjyqi ndaj Thaçit, Clark: S’mund të konfirmoj nëse UÇK-ja u armatos nga ndonjë shtet i NATO-s
Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, e vazhdon dëshminë e tij në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë.
Clark tha se nuk mund të konfirmojë nëse ndonjë organ apo entitet qeveritar i ndonjë vendi anëtar të NATO-s i kishte dhënë armë UÇK-së pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë në fillim të vitit 1999.
I pyetur nga prokurori Halling nëse nuk mund ta konfirmojë për shkak të konfidencialitetit, Clark tha shkurtimisht: “Thjesht nuk e di”.
Prokurori më pas e lexoi një raport informimi të ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Robin Cook, lidhur me operacionet e NATO-s, në të cilin ai thotë se “ne kemi marrë disa raporte nga UÇK-ja në dy javët e fundit dhe na ndihmon ta kemi perspektiven e asaj çka po ndodh, por nuk synojmë t’i furnizojmë ata me armë”.
Lidhur me këtë Clark tha se “jam i sigurt ka pasur deklarata nga dikush që ka thënë se UÇK-ja ka trokitur në derë për të kërkuar ndihmë, kjo është tërësisht ndryshe nga të pasurit një sistem të komandës dhe kontrollit, të unifikuar, i cili do të mbështeste NATO-n”.
Clark përsëriti se UÇK-ja nuk kishte komandë kontrolli.
Clark e mohoi se kishte thënë se “ishte e rëndësishme të mbahej njëfarë lloj distance nga UÇK-ja gjatë bombardimeve”, kur prokurori citoi një deklaratë të tij nga një intervistë.
I pyetur nëse ai nuk donte të kishte komunikim me UÇK-në asokohe, Clark tha: “Jo, nuk është e saktë”.
“Për këtë arsye fola me Thaçin. Në fakt, i kërkova Thaçit të na ndihmonte. Ishim në një pikë kritike të historisë, vlerave, etikës dhe demokracisë në atë kohë. Dua të shpjegoj se në një pikë kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë, në luftëtarë lirie, dhe në një pikë të caktuar, opinioni botëror dhe konsensusi botëror vjen në përfundim se njerëzit të drejtë t’i bëjnë ballë trysnisë së luftës dhe kjo është e shkruar edhe në deklaratën e pavarësisë së SHBA-së”, shpjegoi Clark.
Clark shtoi: “Nga viti 1974 Kosova duhej të ishte shtet i ndarë administrativ, por [lideri i atëhershëm serb Sllobodan] Millosheviqi ua mohoi këtë, prandaj një grup i caktuar njerëz që quheshin terroristë u bënë mbrojtje kolektive e popullit të vet”.
Kujtojmë se në ditën e parë të dëshmisë, ai tha se Thaçi s’e udhëhiqte UÇK-në dhe se ajo s’kishte zinxhir komandues. Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.
Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998–1999./REL
Fraksion.com

