AktualitetPolitikëTë fundit

Balluku: Reshje me intensitet të lartë në veri dhe verilindje, KESH masa për menaxhimin e HEC-eve

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur sot se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka marrë të gjitha masat për të menaxhuar prurjet mbi kaskadën e Komanit dhe Vaut të Dejës, por sërish, sipas saj, situata e reshjeve pritet të jetë problematike.

Në një mbledhje të zgjeruar me prefektët dhe kryetarët e bashkive si dhe me Agjencinë Kombëtare të Emergjencave Civile për përballimin e situatës së përkeqësimit të motit, Balluku theksoi se priten reshje me intensitet të lartë në veri dhe verilindje të vendit.

“Veriu dhe verilindja do të jenë zonat më të goditura. Mbi kaskadë parashikohet të ketë intensitet shumë të lartë të prurjeve dhe reshjeve ndaj kërkohet bashkërendim i saktë për sa i përket të gjithë forcave që kemi në terren”, u shpreh Balluku.

Balluku informoi se KESH ka qenë e informuar për situatën prej disa ditësh, ndaj nga data 11 nëntor, prej një jave, ka marrë masat e duhura që të lirojë volume në basenin e Komanit dhe Vaut të Dejës.

“Fierza është jashtë pune. Përrenjtë anësorë do të kenë intensitet të lartë, pavarësisht reshjeve. Ne kemi hapur hapësirat e duhura për të akomoduar prurjet, por në varësi të situatës, menaxhimi nuk do të jetë i lehtë”, tha Balluku.

Balluku theksoi se “do të mundohemi që të mos hapen portat e HEC-eve, por në rast se arrijmë nivelin më të lartë teknik, kjo është e detyrueshme”.

“Ka një javë që punojmë vetëm me basenin e Komanit dhe Vaut të Dejës megjithatë janë basene të cekëta që ndikohen menjëherë nga prurjet anësore. E dimë problematikën e zonës së Nënshkodrës. Situata vjen nga rritja e prurjeve anësore në Bunë. Ne jemi të përgatitur për situatën. Forcat e emergjencave civile do të jenë në terren”, shtoi Balluku.

Por zv.kryeministrja kërkoi që kryetarët e bashkive të informojnë popullatën, pasi një pjesë e dëmeve mund të shpëtohet në rast se njerëzit do të marrin informacionin e duhur.

“Forcat e Emergjencave Civile do të jenë në terren. Duhet bërë një punë e mirë nga ju si prefekt të qarqeve dhe nga ana tjetër, unë pres që kryetarët e bashkive të fillojnë edhe të informojnë popullatën, pasi një pjesë e dëmeve zakonisht mund të shpëtohet në rast se njerëzit do të marrin informacionin e duhur”, u shpreh Balluku.

Për Ultësirën Perëndimore, Balluku theksoi se nuk rezulton që të ketë reshje të dendura, por situata varet nga prurjet e Vjosës.

“Prurjet e Vjosës mund të sjellin situatë jo të këndshme në Vlorë apo në Fier. Ndërkohë pjesa e juglindjes së vendit nuk paraqet probleme”, tha Balluku.

Pasditen e nesërme, shtoi Balluku, do të kemi reshje të dendura edhe në zonën e Elbasanit dhe të Rrogozhinës.

“Nuk e kishim këtë mbrëmë si të dhënë, por sigurisht kemi lëvizje të tjera atmosferike, ndaj duhen marrë masa edhe në këto zona, pra në gjithë fushën e Elbasanit dhe të zonave përreth”, theksoi zv.kryeministrja.

Për menaxhimin e situatës, Balluku theksoi se veç KESH-it janë vënë në gatishmëri edhe OSHEE, Autoriteti Rrugor Shqiptar, si dhe portet e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës.


Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com