AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Po punohet për njohjen e pensioneve me Greqinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po punon për njohjen e pensioneve me Greqinë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për shqiptarët që kanë punuar jashtë vendit.

Gjatë një dëgjese me banorë të njësisë nr.2 në kryeqytet, Rama shpjegoi se njohja e pensioneve është problem i madh për të gjithë ata që kanë punuar jashtë, veçanërisht në Greqi.

“Kur kthehen në Shqipëri dhe shohin pensionin e tyre, shumë prej tyre hasin vështirësi, sepse sistemi i pensioneve në vendin tonë është më i dobëti, sepse nuk ka pasur kontributorë“, tha Rama.

Ai shtoi se kjo krijon një boshllëk të madh, pasi aktualisht fondi i pensioneve mbështetet kryesisht tek ata që janë aktivë dhe paguajnë sigurime.

Rama theksoi se njohja e pensioneve me Italinë është realizuar, ndërsa tani po punohet për të njëjtën gjë edhe me Greqinë.

“Sfida është njohja e viteve të punës me Greqinë. Ne këtë kemi gurin e fundit të mozaikut. Kjo me Greqinë është e forta fare për shkak se Greqia nuk është Italia në kuptimin e mundësive dhe numri i shqiptarëve është shumë i madh. Kemi filluar punën me Greqinë, janë ngritur grupet që diskutojnë dhe jam shpresëplotë që do ta arrijmë dhe këtë”, tha Rama.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com