AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: 1.7 miliard euro për pensionistët, çdo vit do të financohet dyfishi i vitit të mëparshëm

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se në dispozicion të rritjes së pensioneve do të disbursohen 1.7 miliard euro më tepër gjatë mandatit të katërt.

Në një dëgjesë me banorët e njësisë nr. 3 në Tiranë mbi projektbuxhetin 2026, Rama u shpreh se ky buxhet ka si kryefjalë pensionistët.

“Më vjen shumë mirë që pas një rruge të gjatë kemi arritur të krijojmë kushtet financiare falë rritjes së ekonomisë, reformave që nxitin ekonominë dhe mbështetjes së palëkundur të shumicës së shqiptarëve që na dhanë mundësinë të ndërtojmë një projekt afatgjatë për Shqipërinë në BE”, tha Kryeministri.

Duke folur për rritjen e pensioneve, Rama tha se duke filluar nga janari i vitit që vjen çdo vit do të financohet dyfishi i vitit të mëparshëm.

“Do të arrijmë objektivin që pensionin mesatar të plotë në zonat urbane ta kemi 400 euro dhe pensionin minimal në zonën rurale ta kemi 180 euro. Është sforco shumë e madhe nga pikëpamja financiare por në fund mund ta bëjmë pasi e kemi synuar dhe është plotësisht e merituar për pjesën më delikate të shoqërisë”, tha Kryeministri.

Nga ana tjetër, Rama theksoi faktin se kjo mund të realizohet pa cenuar pjesën tjetër që ka të bëjë me rritjen ekonomike dhe të ardhurat që duhet të vendosen për kopshtet, çerdhet, shkollat dhe institucionet e përkujdesjes.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com