Mjekët: Diabetikët të kryejnë kontrolle periodike, fishat e glukozës falas për grupet në nevojë
Në Ditën Botërore të Diabetit mjekët bëjnë thirrje për kryerje të kontrolleve të rregullta shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën të ditur se me buxhetin 2026 për shëndetësinë mbështetet depistimi falas në programin e kontrollit bazë, si dhe ofrimi i fishave për matjen e glukozës për grupet në nevojë, ndërsa po punohet për përmirësimin e listës së barnave të rimbursueshme.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në Shqipëri janë të regjistruar 111 mijë persona me diabet, ndërsa çdo vit diagnostikohen 6 mijë raste të reja.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toçi, në videon e publikuar nga MSHMS theksoi se “qeveria shqiptare është e angazhuar në drejtim të forcimit të zbulimit të hershëm. Nëpërmjet programit të check-up-it kryhet edhe analiza e glicemisë esëll për të zbuluar sa më herët rastet me diabet”.
“Gjithashtu është e angazhuar në ofrimin falas të fishave për matjen e glicemisë për grup-moshat e caktuara, për grup-moshat mbi 65 vjeç dhe për personat me aftësi të kufizuar si dhe ka angazhimin për të vijuar trajtimin falas të gjithë pacientëve që diagnostikohen me diabet dhe ndjekin sistemin e referimit”, tha Toçi.
Drejtoresha e ISHP-së tha se “është shumë e rëndësishme ndjekja e një stili jetese të shëndetshme jetese duke filluar nga ushqyerja, shmangia e duhanit, një dietë e pasur me fruta e perime për të sëmurët diabetikë duhet të kryejnë kontrolle periodike tek mjeku i familjes apo edhe ai specialist, në mënyrë që të shmangin dhe komplikacionet”.
Presidenti i Shoqatës së Diabetit, Florian Toti këshilloi kryerjen e vaksinës kundër gripit dhe COVID-it për personat me diabet.
“Duke qenë se jemi në periudhën e dimrit është shumë e rëndësishme edhe pjesa e vaksinimit, jo vetëm për gripin, por edhe për COVID-in për të sëmurët kronikë, por personat me diabet janë më të predispozuar për të pasur më shumë komplikacione pas situatës së gripit.”
Dita Botërore e Diabetit kujtohet çdo 14 nëntor, në nder të ditëlindjes së Frederick Banting, i cili së bashku me Charles Best zbuluan insulinën në vitin 1922, një zbulim revolucionar jetëshpëtues.
Fraksion.com

