Mbyllet burgu i Bënçës – Rreth 100 punonjës mbeten pa punë, Tepelena përballet me goditje sociale
Burgu i Bënçës në Tepelenë është mbyllur zyrtarisht, duke shkaktuar një situatë të rëndë sociale dhe ekonomike në zonë. Sipas burimeve pranë institucionit, rreth 70% e personelit kanë dhënë dorëheqjen pasi nuk kanë mundur të pranojnë transferimet në qytete të tjera, ndërsa 30% e mbetur vijojnë punën vetëm për një periudhë tranzitore prej rreth tre muajsh.
Mbyllja e institucionit ka goditur ndjeshëm komunitetin lokal, pasi afro 100 punonjës kanë mbetur pa punë në një zonë ku mundësitë e punësimit janë të kufizuara. Banorët e konsiderojnë situatën si një “goditje të dyfishtë”, veçanërisht për familjet që ndër vite janë mbështetur ekonomikisht te paga e këtij institucioni.
Vendimi për mbylljen e burgut, i cili ka mbërritur vetëm një ditë pas zgjedhjeve, ka shkaktuar debat dhe pakënaqësi. Punonjës dhe banorë të zonës e konsiderojnë mbylljen të papritur dhe të paqartë në argumentim, ndërsa kërkojnë që institucionet qendrore të paraqesin një plan për të mbështetur familjet e prekura.
Gjatë dekadave, institucioni ka mbajtur të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe është konsideruar një prej burgjeve më të njohura të jugut të vendit. Për Tepelenën dhe zonat përreth, ai ka qenë një punëdhënës i rëndësishëm, duke siguruar të ardhura të qëndrueshme për dhjetëra familje për shumë vite.
Fraksion.com

