AktualitetRajoniTë fundit

Italia po heton “turistët snajperë” të Sarajevës

Tri dekada pas rrethimit të kryeqytetit boshnjak autoritetet italiane po hetojnë “turistët snajperë”. Ata dyshohet se kanë paguar për të qëlluar njerëz gjatë rrethimit të Sarajevës.

Hetimi ndaj snajperëve të dyshuar nisi pas një padije të paraqitur nga gazetari dhe shkrimtari italian Ezio Gavazzeni. Ai i paraqiti Prokurorisë së Milanos dokumente dhe deklarata dëshmitarësh që i kishte mbledhur në vite të tëra kërkimesh. Në një intervistë për N1 Gavazzeni shpjegoi se zanafilla e punës së tij ishte një dokumentar i vitit 2022, “Sarajevo Safari”, i regjisorit slloven Miran Zupanic.

Sarajevë 1992 - Një civil duke vrapuar për t'u mbrojtur prej snajperëve
Më shumë se tri dekada pas rrethimit të Sarajevës prokurorët italianë kanë nisur hetime që mund të hedhin dritë mbi një nga aspektet më të errëta dhe më pak të njohura të Luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995: të ashtuquajturit “turistë snajperë”.Fotografi: Georges Gobet/AFP

Deklarata e një ish-agjenti sekret

Edin Subašić, ish-oficer i Shërbimit Sekret të Ushtrisë Boshnjake, rrëfen në filmin “Sarajevo Safari” për marrjen në pyetje të një serbi të kapur në vitin 1993, i cili paska konfirmuar ekzistencën e “turistëve snajperë”. “I burgosuri, një 20-vjeçar nga qyteti serb i Paraçinit, deklaroi se kishte ardhur në Bosnjë me një grup vullnetarësh me ftesë të Partisë Radikale Serbe.”

Pamje nga rrethimi i Sarajevës 1994, një baba me fëmijën duke vrapuar për të shpëtuar prej snajperëve
Pamje nga rrethimi i Sarajevës 1994Fotografi: picture-alliance/ dpa

Subašić tha për kanalin televiziv boshnjak FTV, se gjatë luftës kishte mbledhur informacione edhe për italianë të përfshirë si snajperë gjatë rrethimit të Sarajevës. Sipas pretendimeve të tij ishin gjetur “emrat e disa prej autorëve dhe hetimet e mëtejshme mund të hedhin dritë mbi mënyrën se si organizoheshin udhëtimet, pagesa dhe kthimi i pjesëmarrësve”. FTV njofton gjithashtu edhe për një “listë speciale çmimesh” të cilët vareshin nga personi që donin të qëllonin snajpervt: “burrë, grua, grua shtatzënë apo fëmijë”.

Sarajevë 1993 | Dy njerëz duke vrapuar për t'u fshehur pas një autobusi
Sipas hetimeve gjatë luftës ka pasur edhe italianë të përfshirë si snajperë gjatë rrethimit të SarajevësFotografi: Vincent Amalvy/AFP

Përfshirja e mercenarëve të huaj e dokumentuar mirë

Mirsad Tokaca, drejtor i Qendrës së Kërkimit dhe Dokumentacionit në Sarajevë, i tha DW se analizat e shifrave të viktimave civile tregojnë se snajperët kanë vrarë rreth 300 dhe 350 vetë në Sarajevë. “Pothuajse të gjitha viktimat ishin civilë”, tha Tokaca.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e turistëve snajperë, përfshirja e mercenarëve të huajnë forcat e armatosura serbe të Bosnjës është e dokumentuar mirë: “Baza jonë e të dhënave liston rreth 300 persona nga Greqia, Rusia, Ukraina dhe vende të tjera që kanë luftuar në ushtrinë serbe.”

Hetimet aktuale të autoriteteve italiane ndaj turistëve snajperë në Luftën e Bosnjës mund të çojnë në gjyqet e para kundër qytetarëve evropianë të përfshirë në krime lufte jashtë hierarkive formale ushtarake, por me mbështetjen ose dijeninë e një pale ndërluftuese – në këtë rast të forcave serbe të Bosnjës./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com