Kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria fiton 0-1 ndaj Andorrës, shënon Asllani
Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi sonte 0-1 ndaj Andorrës, në kuadër të Grupit K të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.
Suksesi i sotëm mban firmën e Kristjan Asllanit, i cili në minutën e 62-të konkretizoi një aksion të shpejtë e të bukur kuqezi, duke vulosur një trepikësh me peshë të madhe në rrugën drejt “play-off”-it.
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho zbriti në fushën e lojës me skemën 4-3-3, me Strakoshën në portë. Në mbrojte luajnë Hysaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Mitaj. Në mesfushë luajnë Shehu, Asllani dhe Laçi. Ndërsa në sulm luajnë Hoxha, Broja, Manaj.
Ndërsa trajneri i Andorrës, Koldo Álvarez përzgjodhi formacionin me Álex Ruiz, Babot, Llovera, Lopez, Rodrigo, San Nicolás, De las Heras, Cervós, Rosas, Olivera, Borra.
Takimin e gjykoi arbitri rumun Horatiu Mircea Fesnic, i asistuar nga bashkatdhetarët e tij.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me dominim të plotë në pjesën e parë, duke kontrolluar lojën dhe qarkullimin e topit, edhe pse rastet e pastra për gol ishin të pakta.
Në minutën e 17-të, Kristjan Asllani ishte pranë golit pas një goditjeje dënimi ballore, por topi përfundoi pak mbi traversë. Shqipëria vijoi të kërkonte avantazhin me qarkullim të mirë të topit dhe presion konstant, por pa arritur konkretizimin.
Rasti më i mirë i kësaj pjese erdhi pas një goditjeje nga këndi, kur Berat Gjimshiti u ngjit më lart se mbrojtësit kundërshtarë dhe goditi me kokë, por topi u përplas në traversë. Në vijim të aksionit, përpjekja e Rey Manajt shkoi jashtë traverse.
Mbyllet pa gola pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë zhvilluan një lojë pothuajse perfekte, duke kontrolluar plotësisht ritmin dhe duke krijuar disa raste të rrezikshme për gol.
Në minutën e 47-të, pas një harkimi nga e djathta, Kristjan Asllani pason me thembër për Arber Hoxhën, por gjuajtja e tij devijohet në këndore nga mbrojtja kundërshtare.
Pak çaste më vonë, Armando Broja depërton në zonë dhe tenton të gjuajë, por portieri reagon duke larguar topin. Në vijim të aksionit, topi përfundon te Asllani, i cili provon nga jashtë zonës, por sërish portieri ndalet dhe mbrojtja e Andorrës pastron çdo rrezik.
Në minutën e 60-të, trajneri Silvinjo kryen dy zëvendësimet e para. Broja dhe Laci lënë fushën për t’i bërë vend Nedim Bajramit dhe Myrto Uzunit.
Asllani vazhdon të jetë protagonist me disa tentativa, por shpërblimi vjen në minutën e 67-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga Uzuni në krahun e djathtë, topi shkon te Asllani, i cili nuk gabon dhe e dërgon në rrjetë, duke kaluar Shqipërinë në avantazh.
Në minutën e 73-të, një tjetër rast i artë për kuqezinjtë. Bajrami gjuan fort nga jashtë zonës, tentativa e tij devijohet nga Rey Manaj dhe përfundon jashtë kuadratit.
Më pas, Silvinjo bën sërish dy zëvendësime, duke aktivizuar Indrit Tucin në vend të Rey Manajt për të freskuar repartin e sulmit.
Kuqezinjtë administruan në mënyrën më të mirë minutat e mbetura, duke mbajtur kontrollin e lojës deri në fund.
Në stadiumin “Encamp” ishin mbi 5 mijë tifozë, me një prani të konsiderueshme të tifozëve shqiptarë që siguruan bileta përmes kanaleve zyrtare të shitjes.
Fitorja e Shqipërisë ndaj Andorrës, e kombinuar me humbjen 2-0 të Serbisë në transfertën ndaj Anglisë siguron matematikisht vendin e dytë në grup për Kombëtaren shqiptare, duke i dhënë asaj mundësinë të marrë pjesë në fazën “play-off” për finalet e Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Kjo ishte ndeshja e parafundit në Grupin K, përpara përballjes përmbyllëse që Shqipëria do të zhvillojë më 16 nëntor në “Air Albania” kundër Anglisë.
Fraksion.com

