AktualitetTë fundit

Kompleksi i ri stërvitor në Bizë-Pajeti sipas modeleve të NATO-s, akomodon 1200 trupa

Në Bizë-Pajeti po ndërtohet kompleksi i ri stërvitor sipas modeleve të NATO-s i cili do të akomodojë deri në 1200 trupa dhe do të ofrojë kushte bashkëkohore për stërvitjen e personelit.

Ky investim i ri, sipas ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu e “shndërron Bizën në një poligon ndërkombëtar të dedikuar të stërvitjes së Forcave të Armatosura dhe një hap konkret që dëshmon se investimet për rritjen e gatishmërisë, aftësive dhe standardeve janë përparësi e Ministrisë së Mbrojtjes”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri ndau një video nga kompleksi i ri stërvitor.

Mydeir Tafa, me detyrë komandant i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë në Forcën Tokësore, tha se aktualisht në Bizë-Pajeti “po krijohen kushtet e nevojshme për akomodimin, ushqimin dhe argëtimin e personelit të Forcës Tokësore gjatë stërvitjes komplekse që do të kryejnë në rajonin stërvitor të Bizës”.

Sipas Tafës “është hera e parë që bëhet një investim i tillë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë”.

“Ky investim është projektuar që të ketë numër sa më të madh pjesëmarrjeje dhe të akomodimi të trupave”, tha Tafa.

Tafa shtoi se “në këtë rajon janë duke u ndërtuar ambientet e fjetjes për akomodimin e personelit, është duke u ndërtuar mbështetja shëndetësore gjatë stërvitjeve”.

Aktualisht sipas tij “është ndërtuar blloku i komandës së Batalionit”.

“Kemi bllokun e mensës, kuzhinës, ku do të bëhet trajtimi me ushqim i efektivëve që do të marrin pjesë në stërvitjet e ndryshme dimërore ose verore në këtë rajon. Blloku i mensë-kuzhinës ka një kapacitet prej 600 vetash njëherësh”, tha ai.

Tafa nënvizoi se “aktualisht është llogaritur që kjo të plotësojë të gjithë akomodimin e Grup-batalionit të Lehtë të Këmbësorisë që arrin deri në 1200 veta”.

 

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com