Berisha: Balluku dhe Rama bënë pazaret më të ndyra me të njëjtën kompani në tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar situatën politike në vend gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, duke akuzuar mazhorancën për “kapje të institucioneve” dhe “përjashtim të opozitës nga roli i saj kushtetues”.
Në fjalën e tij, Berisha tha se opozita po pengohet të ushtrojë funksionin e saj themelor të kontrollit parlamentar ndaj qeverisë.
“Opozita privohet nga e drejta dhe nga detyra e saj themelore për të kontrolluar ekzekutivin dhe zbatimin e ligjit. Ministrat nuk refuzojnë vetëm interpelancat, por edhe paraqitjen para komisioneve, duke nxjerrë përfaqësues të tjerë që nuk kanë përgjegjësi ligjore,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, parlamenti është shndërruar në një instrument të partisë në pushtet, ndërsa deputetëve të opozitës “u mohohen të drejtat që u garanton Kushtetuta dhe rregullorja”.
“Shqiptarët panë me dokumente se si Edi Rama dhe Belinda Balluku bëjnë pazaret më të ndyra në kurriz të tyre, me tendera që shkojnë në 200 milionë euro për tunelin e Llogarasë, pa respektuar asnjë nen të ligjeve të këtij vendi,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se kompania e përfshirë në ndërtimin e tunelit të Llogarasë është e njëjta që po përdoret edhe për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, duke aluduar për lidhje të dyshimta dhe vendimmarrje jashtë procedurave ligjore.
“E njëjta kompani, të njëjtat mekanizma dhe të njëjtat qëllime. Gjithçka vendoset në vizitat e tyre në Ankara,” tha Berisha.
Fraksion.com

