Arrestohet i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë
Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Golluboc të Malishevës.
A.I. kishte qenë në arrati pas vrasjes së dyfishtë në Malishevë më 6 nëntor.
Autoritetet njoftuan se ndaj A.I. do të paraqesin kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Ndërkaq, Policia dha detaje të tjera, duke theksuar se ai u arrestua mëngjesin e sotëm në fshatin Pllaqicë.
“Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor”, u tha në njoftim.
Po ashtu, sipas Policisë së Kosovës pas vrasjes së dyfishtë në Malishevë, njësitet e saj kanë gjetur dhe sekuestruar në vendngjarje dy armë që dyshohet se janë përdorur në këtë rast.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, tha një ditë më parë se dorasi i dyshuar dhe viktimat kishin raporte familjare. Mediat raportuan se ai ishte dhëndri i viktimave.
Sa i përket motivit të vrasjes së dyfishtë, prokurori Gashi tha se “nuk e dimë saktësisht”.
Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmuan se A.I. kishte pasur precedentë penalë. Ai ishte dërguar në paraburgim në prill të këtij viti dhe ndaj tij atëbotë ishte ngritur aktakuzë për “dhunë në familje” dhe “kanosje”.
Policia e Kosovës deklaroi se i dyshuari i kishte qëlluar dy vëllezërit me armë zjarri pak para mesditës të së enjtes. Viktimat ishin dërguar më pas në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin e afërt, Kijevë, ku mjekët konstatuan vdekjen e tyre.
Vrasja e tyre vjen pak muaj pasi në pjesë të ndryshme të vendit ndodhën pesë vrasje vetëm në muajin gusht.
Ata, po ashtu, kërkojnë rritjen e operacioneve policore, për të ulur numrin e incidenteve të armatosura./REL
Fraksion.com

