Berisha: Progresraporti i KE, aktakuzë ndaj qeverisjes
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dekalroi sot se progresraporti i Komisionit Europian është një aktakuzë ndaj qeverisjes aktuale ku theksohet se zgjedhjet janë të deformuara.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha tha se “ndonëse KE nuk është një komision i specializuar për zgjedhjet, por ai merr të mirëfilltë ato që institucionet e besimit të mirë shkruajnë, dhe thotë se zgjedhjet ishin të deformuara”.
Berisha u shpreh se në raport theksohet se “korrupsioni lulëzon, kontrolli parlamentar mbi qeverisjen ka degraduar, sistemi gjyqësor është në kolaps, krimi i organizuar është tejet i fuqishëm, media është tërësisht e kontrolluar dhe e sulmuar dhe se administrata është e politizuar dhe fondet publike keqmenaxhohen”.
Kreu i PD-së tha se “i kanë bërë një radiografi të pamëshirë narkoregjimit të Edi Ramës”.
“Ndonjëri mund të thotë, ja ambasadori foli për shkëlqim, të tjerë në komision thanë të njëjtën gjë. Unë garantoj se në asnjë rresht, në asnjë fjalë nuk përdoret fjala shkëlqim, fjala e jashtëzakonshme, asnjë nga këta cilësorë nuk ekziston në raportin e Komisionit Europian. Që të gjitha janë shpikje pasionante të individëve të caktuar që kërkojnë të dezinformojnë, të fshehin të vërtetat që përmban raporti”, nënvizoi Berisha.
Berisha tha se “raporti i Komisionit Europian thekson se sistemi gjyqësor është në kolaps. I vetmi kriter që plotësohet është ai gjeostrategjik”.
Fraksion.com

