Spiropali vizitë zyrtare në Hagë, pritet nga ministri i Jashtëm, firmosin deklaratën e përbashkët
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Hagë të Mbretërisë së Holandës.
Spiropali do të falenderojë Ministrin e Jashtëm për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda Nëntorit të grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Po ashtu, takimi do të fokusohet në mundësi të reja bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimeve akademike.
Ditën e sotme, Ministrja do të vizitojë Ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në institucionin e Paraburgimit të Gjykatës Speciale.
Ministrja do të mbajë një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Hagës, me studentët dhe akademikët e Programit të Studimeve Europiane rreth agjendës së angazhimeve që Shqipëria ka ndërmarrë për të garantuar standardet europiane.
Në mjediset e Ambasadës shqiptare, Spiropali do të mirëpritet edhe nga rrjeti i profesionistëve të rinj shqiptarë me banim në Holandë.
Fraksion.com

