Spiropali takon Hashim Thaçin në paraburgimin e Hagës: Lufta për liri nuk mund të njolloset
Ministrja e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar ditën e sotme, 3 nëntor 2025, një takim me ish-kreun e UÇK-së, Hashim Thaçi, në ambientet e paraburgimit në Hagë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Spiropali ka ndarë një video të saj nga Haga, teksa shprehet se Thaçi është në gjendje të mirë, e se i ka shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare, me shpresën e një vendimi të drejtë nga ana e Gjykatës Speciale.
Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçi në gjendje të mirë. Ndiqtë zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë, sigurisht me dëshirën për të parë dy vendet tona sa më mirë.
Më tej, ministrja e Jashtme u ndal tek rëndësia e luftës së bërë nga Kosova për të mbrojtur të dashurit e tyre dhe shtëpitë e tyre. Qëllimi i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë sulmi ndaj një shteti tjetër, thekson Spiropali.
“Është me rëndësi të madhe edhe një herë të theksohet që populli i Kosovës, djemtë e vajzat e Kosovës, u ngritën në luftë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, për të mbrojtur njerëzit e tyre, për të mbrojtur jetën në atë vend, e kurrsesi për të agresuar apo sulmuar një popullatë apo një vend tjetër. Kjo luftë për liri nuk mund të njolloset. Kjo luftë për ekzistencë nuk mund të përbaltet, dhe këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia, dhe sakrificat e një populli të tërë, të mos shkelen me këmbë.
Besim deri në fund dhe jam e bindur që pas dëshmive të dhëna këtu, e pas një procesi të rregullt ligjor, ne do mund të shohim drejtësi për luftëtarët, drejtësi për Kosovën dhe të vërtetën e saj”, u shpreh Spiropali.
Prej 5 vitesh, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, po gjykohen në Hagë, nga Gjykata Speciale.
Thaci akuzohet si i përfshirë përmes ndikimit mbi ish-pjesëtarë të UÇK-së që i qëndrojnë besnikë dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit në këtë çështje. Gjykata Speciale e ngriti aktakuzën e dytë kundër Thaçit në dhjetor të vitit 2024 për pengim të drejtësisë.
Fraksion.com

