Berisha: Rama kërcënoi misionin e OSBE-ODIHR, Hasani i çoi letrën…
Këtë të hënë, 3 nëntor, në orën 13:00 ka nisur mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike ku fokusi i diskutimit, është raporti i OSBE-ODIHR, mbi zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Në nisje të mbledhjes, drejtuesi i kësaj force politike, Sali Berisha, u shpreh:“Sot, ne mblidhemi në rrethana të zhvillimeve të jashtëzakonshme, dhe mendoj se, këtyre zhvillimeve PD, drejtuesit, anëtarët, mbështetësit e saj dhe opozitarët, pa përjashtim, duhet t’i kushtojnë vëmendjen maksimale, vëmendjen e jashtëzakonshme.”
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së tha se kjo forcë politike do t’i futet një analize të thellë pas zgjedhjeve. Analizë që, sipas tij, është vonuar për shkak se mund ta përdorte mazhoranca kundër tyre, përpara se OSBE-ODIHR të publikonte raportin final. Këtu Berisha ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai ka kërcënuar vëzhguesit e misionit të OSBE-ODIHR.
“Njerëzit e dëshpëruar flasin me vete, janë njerëz shumë të mirë, por ata kanë humbur nordin e jetës së tyre të përditshme. Njerëzit e dëshpëruar. Vetëm njerëzit me shpresë janë ata që luftojnë për idealin e tyre, për misionin e tyre. Në këtë kontekst, PD e ka jetike një analizë të ndershme, të gjithanshme, të sinqertë, të hapur, demokratike. Dua që në fillim të qartësoj çdo demokrat se kjo analizë është shtyrë vetëm për një arsye: është pritur raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it.
Është pritur ky raport sepse çdo debat i yni mund të përdorej nga pala kundërshtare për të ndikuar te raporti. Shenjat, të dhënat i kishim të sigurta. Edi Rama ka kërcënuar direkt vetë personalitetet e vëzhguesve. Igli Hasani, për të mbyllur me turp karrierën e tij si ministër i Jashtëm, detyrohet nga Edi Rama 2 orë pasi publikohet raporti paraprak, t’i bëjë letër misionit vëzhgues, dhe e gjitha kjo ishte, nënkuptimi, ‘që ju keni shpifur, se ato që keni shkruar nuk i dokumentoni dot’. Dhe kjo përpjekje ka vazhduar në nivelet me të larta me intensitetin më të madh. Ndaj dhe ne, zgjodhëm si taktikë më të drejtë, spostimin e analizës së brendshme dhe paraqitjen e përditshme të fakte, dokumenteve që dëshmonin se ato që ishin shkruar në raportin paraprak kishim mbështetje të fuqishme në fakte dhe të vërteta.”, tha Berisha.
Fraksion.com

