AktualitetTë fundit

I dënuar me 35 vite burg, por ndodhej në liri, Bertil Alliaj zbrazi drejt kushëririt 6 plumba. Autori në arrati, ndërhyrja e FNSH

Bertil Alliaj është autori i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij Dalan Alliaj 36-vjeç mbrëmjen e së premtes në fshatin Gjorm të Vlorës.

Viktima u qëllua me 6 plumba, një prej të cilëve më pranë zemrës.

Kontrollet janë shtrirë në vargmalet e fshatit Gjorm si dhe janë ngritur pika kontrolli deri në Selenicë, pasi autori i dyshuar  është njohës i mirë i zonës.

Nuk dihen akoma shkaqet  e kësaj vrasje, pasi nëse do të ishte i mirëorganizuar, autori do të kishte një makinë me të cilën do të largohej dhe më pas do ta digjte makinën.

Policia njoftoi më herët se nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Bertil Alliaj  i cili dyshohet se në fshatin Gjorm ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.

Pas kryerjes së krimit, shtetasi Bertil Alliaj është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se fshihet.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Forcat e rendit, FNSH  bashku me ekspertët e kriminalistikës, kanë bërë këqyrjen e vendngjarjes dhe kanë shoqëruar për në polici pesë persona, përfshirë djalin e xhaxhait (ndërkohë në kërkim është shpallur një tjetër djalë xhaxhai i viktimës) i cili ka qenë me 36-vjeçarin, kryeplakun e fshatit, dhe tre banorë të tjerë, që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Policia e Vlorës dhe forcat e FNSH janë duke krehur zonën për kapjen e autorit, ndërkohë që nga këqyrja e trupit te 36 vjeçarit janë gjetur gjashtë shenja plumbash të cilat i kanë marrë jetën. Trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në morgun e spitalit të Vlorës, ku kanë mbërritur edhe familjarë të shumtë të viktimës.

Viktima kishte një biznes në fshatin Levan të Fierit, dhe rezulton pa precedentë penalë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com