Mashtronin qytetarët përmes faqeve false të Postës Shqiptare, goditet grupi i të huajve
Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit “Posta e Rremë”, goditi sot një grup të huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare. Në kuadër të operacionit, policia vuri në pranga dy shtetas kinezë.
Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe teknike, u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit e huaj C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç”.
Sipas policisë hetimet kanë treguar se këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronin, policia bëri të ditur se u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Policia njoftoi se vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Policia e Shtetit rikujton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe apelon:
Mos klikoni në lidhje (linke) të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve apo rrjeteve sociale;
Mos jepni asnjëherë të dhëna personale, numra kartash, PIN apo fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;
Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara se të kryeni çdo veprim online;
Në rast dyshimi, raportoni menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.
Gjithashtu policia u bëri thirrje qytetarëve se “nëse ndonjë qytetar i është përgjigjur mesazheve mashtruese dhe ka vendosur të dhënat e tij personale apo bankare në faqet e falsifikuara, i bëjmë thirrje të paraqitet sa më shpejt në Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë, ose të kontaktojë menjëherë për të raportuar rastin dhe për të marrë ndihmën e nevojshme”.
Fraksion.com

