Kryeministri Albin Kurti: Fatos Nano, gdhendi emrin e tij në historinë moderne të shtetit shqiptar!
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste. Në Facebook, Kurti shkruan se në historinë politike të Shqipërisë së periudhës së tranzicionit nga sistemi monist dhe regjimi komunist tek ai demokratik liberal dhe pluralist, emri i politikanit Fatos Nano ishte një figurë qendrore.
“Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam patur me të. Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë e imja, u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim tonin njohës.
Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së deri te ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së. Historia moderne e shtetit shqiptar dhe historia politike e Shqipërisë dhe e Kosovës, do ta kenë të dendur emrin e tij mes emrave të politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI.
Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, si dhe miqve e të afërmve të tij.

