“Humbje e rëndë për gjithë Shqipërinë”, Anastas Angjeli flet për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos
Ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Angjeli e përshkroi këtë ngjarje si një humbje të rëndë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në plan personal.
“Koha nuk do të diskutohet që të ishte e mjaftueshme për një ngjarje të tillë, kaq e rëndë për gjithë Shqipërinë, për humbjen e jetës së Fatos Nanos,” tha Angjeli. “Faktikisht, e dyfishtë: e para, humbja e jetës së mikut tim të shtrenjtë, shokut tim, bashkëpunëtorit dhe bashkëudhëtarit tim prej dekadash. Humbja e jetës së Fatos Nanos është edhe për mua fatkeqësi, sepse nuk ndodhem në Tiranë, por jam në SHBA.”
Angjeli tha se ka komunikuar me doktorin që e trajtonte Nano-n: “Kam komunikuar me doktorin Salin, në spitalin privat ku Fatos Nano ndodhej, dhe kam marrë informacion për gjendjen e tij. Një situatë e vështirë edhe për mua si një nga bashkëpunëtorët e tij që nga ditët e para të themelimit të Partisë Socialiste.”
Për figurën e Nanos, Angjeli tha: “Vlerësimi im mbetet më i lartë për një nga figurat më të shquara të jetës politike shqiptare që prej vitit 1990, një figurë historike, jo vetëm si drejtues i emancipuar që revolucionoi dhe modernizoi Partinë Socialiste, por jo vetëm atë, por edhe të gjithë shoqërinë demokratike në Shqipëri.”
Ai shtoi se Nano ishte një udhëheqës shtetëror me vizion të qartë: “Me detyrat dhe funksionet e ndryshme që prej vitit 1991, ai ka pasur një vizion të qartë, një mendim të kthjellët dhe një kontribut të çmuar për zhvillimin gjithanshëm ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë, të cilin e ka ushtruar gjatë gjithë kohës që ka qenë në drejtim të partisë dhe në funksione të larta shtetërore.”
Fraksion.com

