AktualitetRajoniTë fundit

1 vit nga tragjedia e Novi Sadit në Serbi

Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, për t’i përkujtuar viktimat e shembjes fatale të çatisë së stacionit hekurudhor, duke shënuar një vit nga tragjedia që ndezi protestat më të mëdha në dekada.

Njerëzit vendosën lule dhe qirinj përgjatë gardhit të përkohshëm pranë hyrjes së dëmtuar të stacionit, ku 16 njerëz humbën jetën kur çatia u shemb më 1 nëntor 2024.

Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në përkujtimet që filluan në stacion në orën 11:52 paradite – në të njëjtën orë kur ndodhi tragjedia.

Ata gjithashtu mbajtën 16 minuta heshtje në nderim të 16 viktimave.

Qytetarët nga pjesë të Serbisë mbajnë 16 minuta heshtje për 16 viktimat e incidentit në stacionin e trenit në Novi Sad, në njëvjetorin e tragjedisë, 1 nëntor.
Qytetarët nga pjesë të Serbisë mbajnë 16 minuta heshtje për 16 viktimat e incidentit në stacionin e trenit në Novi Sad, në njëvjetorin e tragjedisë, 1 nëntor.

Fillimisht, protestuesit kërkuan hetim transparent, por më pas thirrjet e tyre u zgjeruan në kërkesa për zgjedhje të parakohshme.

Mijëra njerëz të tjerë marshuan drejt Novi Sadit nga Beogradi – rreth 100 kilometra – dhe nga Novi Pazari, rreth 340 kilometra në jug të kryeqytetit. U deshën simbolikisht 16 ditë – në nderim të 16 viktimave – që ta përfundonin marshimin.

“Erdha të përulem para forcës më të madhe në botë sot: studentëve tanë, rinisë sonë”, tha Ratko Popoviq nga rajoni i Novi Sadit

Protestat e vazhdueshëm bënë që kryeministri të jepte dorëheqje, rrëzimin e qeverisë dhe formimin e një të reje. Por, presidenti Aleksandar Vuçiç ka qëndruar në detyrë.

Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, për t’i përkujtuar viktimat e shembjes fatale të çatisë së stacionit hekurudhor.
Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, për t’i përkujtuar viktimat e shembjes fatale të çatisë së stacionit hekurudhor.

Vuçiq shpesh i ka quajtur demonstruesit “puçistë të financuar nga jashtë”, ndërsa anëtarë të partisë së tij SNS kanë përhapur teori konspirative, duke pretenduar se shembja e çatisë mund të ketë qenë sulm i orkestruar.

Por, në një fjalim televiziv të premten, Vuçiç bëri një gjest të rrallë dhe kërkoi falje për deklaratat, duke thënë se pendohet për disa nga to, pa treguar se për cilat.

“Kjo vlen si për studentët, ashtu edhe për protestuesit, si dhe për të tjerët me të cilët jam përplasur në qëndrime. Kërkoj falje për këtë”, tha Vuçiç, duke bërë thirrje për dialog.

Qeveria ka shpallur të shtunën ditë zie kombëtare, ndërsa kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, mbajti meshë për viktimat në Kishën e Shën Savës në Beograd.

Në meshë mori pjesë edhe presidenti Vuçiç, i cili tha më vonë në Instagram se në këtë kohë të trishtueshme, “gjëja më e rëndësishme është që Serbia të jetë dinjitoze dhe e bashkuar”.

“Sot është dita kur, pa fjalë të ashpra apo përçarje, duhet të lutemi në heshtje për viktimat”, shtoi ai.

Mbështetësit e Vuçiçit, që kanë ngritur kampe pranë ndërtesës së Kuvendit të Serbisë kundër bllokimit të universiteteve, thanë se do të mblidhen para kishës për të nderuar viktimat.

“Në këtë përvjetor të trishtuar, u bëjmë thirrje të gjithëve… të veprojnë me përmbajtje, të ulin tensionet dhe të shmangin dhunën”, thuhet në një deklaratë të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.

Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por në mes të gushtit ato u përshkallëzuan në dhunë, për çka protestuesit fajësuan taktikat e ashpra të besnikëve të qeverisë dhe policisë.

Në shtator, 13 njerëz, përfshirë ish-ministrin e Ndërtimit, Goran Vesiç, u akuzuan penalisht në lidhje me incidentin në Novi Sad.

Ndërkohë, një hetim i veçantë kundër korrupsionit po vazhdon paralelisht me një hetim të mbështetur nga BE-ja mbi keqpërdorimin e mundshëm të fondeve të BE-së në projekt./REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com