AktualitetPolitikëTë fundit

Basha në SPAK “si person në dijeni”

Kryetari i Partisë Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha është paraqitur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas medieve, Basha do të pyetet si person në dijeni për dosjen e “21 Janarit”.

Ish-kreu i Partisë Demokratike qëndroi në SPAK më shumë se një orë e gjysmë. Në dalje ai iu përgjigj gazetarëve që e pyetën për arsyen e paraqitjes në SPAK, duke thënë se është thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim.

“Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim. Informacioni se për cilën çështje, ju lus ta merrni drejtpërdrejt tek institucioni sepse ligjërisht duhet të respektoj sekretin hetimor”, deklaroi ai.

I pyetur nëse ka pasur urdhër më 21 janar për të qëlluar, Basha tha: “kjo ishte gjithçka që kisha për të deklaruar për këtë çështje. Për të tjerat me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp por duhet të prisni dhe pak”.

Në kohën e tragjedisë së “21 janarit” ku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u vranë katër protestues, Basha mbante postin e ministrit të Brendshëm.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në nëntor të vitit 2023 Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe që duhet hetuar si i tillë.

Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com