PD kërkon komision hetimor për administrimin e fondeve të IPARD në bujqësi
Partia Demokratike kërkon ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në administrimin e fondeve të programit IPARD ll në bujqësi. Kërkesa është firmosur nga 45 deputetë të opozitës.
Sipas kërkesë së PD-së “si rezultat i shkeljeve shumë serioze të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, të cilat OLAF i konsideroi si “kriminale” dhe “korruptive”, fermerëve shqiptarë iu mohua mundësia për të përfituar 112 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPARD III, pjesë e Marrëveshjes Kuadër IPA III”.
“Me qëllim kontrollin e zbatimit të Marrëveshjes Kuadër IPA II dhe Marrëveshjes Sektoriale IPARD II, verifikimin e procesit të përzgjedhjes, miratimit dhe financimit të aplikimeve fituese të fondeve IPARD II, analizimin e respektimit të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale nga përfituesit e fondeve IPARD II në fazën e zbatimit të projekteve, vlerësimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse për programin IPARD II, identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e këtyre fondeve, si dhe vlerësimin e nevojës për ndërmarrjen e masave ligjore, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative në të ardhmen, deputetët nënshkrues kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit për Kontrollin e Ligjshmërisë në Administrimin e Fondeve të Programit IPARD II”, thuhet në kërkesën e PD-së.
Komisioni kërkohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: (I) Kontrollin e zbatimit të Marrëveshjes Kuadër IPA II dhe Marrëveshjes Sektoriale IPARD II ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian; (II) Verifikimin e procesit të përzgjedhjes, miratimit dhe financimit të aplikimeve fituese të fondeve të programit IPARD II; (III) Analizimin e respektimit të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale nga përfituesit e fondeve IPARD II në fazën e zbatimit të projekteve; (IV) Identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e fondeve të programit IPARD II, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale; (V) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës në administrimin e ndihmës financiare të Bashkimit Evropian dhe fondeve publike, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe mbikëqyrjes parlamentare; (VI) Të angazhohet për të propozuar për miratim të gjitha masat e nevojshme ligjore që të shmangen në të ardhmen situatat e evidentuar në raportin e hetimit të Zyrës së Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF), dhe që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale, duke propozuar masat konkrete që janë të nevojshme që institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian të rekomandojnë zhbllokimin e fondeve për Shqipërinë për programin IPARD III.
Komisioni propozohet të ketë në përbërje 11 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Fraksion.com

