Akuzohen për korrupsion në zgjedhje në Kukës, SPAK dërgon për gjykim Kalosh dhe Gazmend Peposhin
SPAK dërgon për gjykim 2 të pandehur për korrupsion aktiv në zgjedhje në Qarkun Kukës. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe në datë 28.10.2025, ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 83 të vitit 2025, në ngarkim të dy të pandehurve:
Kalosh Peposhi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”;
Gazmend Peposhi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, në mungesë.
Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në ngarkim të shtetasve te mësipërm të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.
Gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u kanë premtuar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Njësisë Administrative Ujmisht, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik “Partia Socialdemokrate e Shqipërisë”.
Hetimi ka evidentuar se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare ndaj zgjedhësve për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre.
Fraksion.com

