AktualitetKosovaTë fundit

Media gjermane: Kriza në Kosovë po paralizon zhvillimin

Media gjermanofone i kushton vëmendje dështimit të krijimit të qeverisë në Kosovë dhe pasojave për vendin që vuan prej muajsh nga bllokada e brendshme politike.

“Berliner Zeitung” i kushton vëmendje edhe humbjes së besimit të aleatëve të Kosovës duke kujtuar mbylljen e dialogut strategjik nga Uashingtoni. “Ky është një zhvillim i rrezikshëm për ekonominë e brishtë të Kosovës. Vendi, me 1.7 milion banorë është një nga më të varfrit në Evropë, me papunësi relativisht të lartë dhe një largim të madh të rinisë. Edhe pse kushtet ekonomike janë përmirësuar vitet e fundit, pa mbështetje të huaj, ekziston rreziku i rënies masive të investimeve dhe humbjes së besimit tashmë të dobët të investitorëve ndërkombëtarë.” Në analizën e Berliner Zeitung theksohet, se “kriza ka edhe një dimension gjeopolitik. Situata e paqëndrueshme në Kosovë po monitorohet nga afër në Beograd dhe, në disa raste, komentohet me gëzim.”

“Frankfurter Rundschau” po ashtu i kushton vëmendje krizës politike në Kosovë duke theksuar, se kjo bllokadë rrezikon vendime të rëndësishme për Kosovën. “Kriza e vazhdueshme qeveritare po vonon vendimet kyçe: Një buxhet për vitin 2026 zor se mund të arrihet në kohë, miliona euro ndihma të BE-së janë bllokuar. Analistët paralajmërojnë për humbje ekonomike në rritje për shtetin e ri, i cili është mbështetur në mbështetjen ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Megjithëse Kurti paralajmëroi në parlament, se pa qeveri të re çdo ditë “është një ditë e humbur për zhvillimin, për qytetarët, për shtetin”, shkruan gazeta gjermane, kryeministri Albin Kurti dështoi të krijojë qeverinë.

Kurse gazeta gjermane “taz” thekson, se Kosova mund të ndodhet para zgjedhjeve të reja parlamentare. “Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tani duhet të emërojë një kryetar të ri qeverie. Nëse shumica parlamentare për të formuar një qeveri nuk mund të gjendet përsëri, shteti ballkanik përballet me rrezikun e zgjedhjeve të reja.[…]Mbetet e paqartë nëse Kurti do të nominohet përsëri si mandatar për krijimin e qeverisë apo nëse një kandidat i opozitës do të ngarkohet me detyrën e formimit të qeverisë. Kurti do të vazhdojë ta udhëheqë qeverinë deri atëherë”.

Kurse Agjencia Katolike e Lajmeve KNA, në një artikull mbi zhvillimet e fundit në Kosovë thekson se kriza politike në Kosovë vazhdon dhe se edhe pas më shumë se tetë muajve pas zgjedhjeve, Kosova mbetet pa qeveri. “Kjo e zgjat një krizë politike që filloi me zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, në të cilat partia e Albin Kurtit, Vetëvendosje, humbi shumicën e saj të mëparshme. Frontet duken shumë të ashpërsuara për një koalicion ose një qeveri minoritare të mbështetur nga partitë e tjera. Kritikët kanë paralajmëruar vazhdimisht se kriza politike po paralizon zhvillimin. Kosova konsiderohet si një nga vendet më të varfra në Evropë.”

Gazeta austriake “Standard” e shikon Kosovën para zgjedhjeve të reja. “Nëse as edhe një i mandatuar i ri nuk arrin të sigurojë mbështetjen e të paktën 61 anëtarëve të parlamentit, do të duhet të shpallen zgjedhje të reja parlamentare. Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën në fillim të shkurtit. Kurti u konfirmua si kryeministër në vitin 2021 dhe është gjithashtu kreu i partisë në pushtet Vetëvendosje.”/DW

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com