AktualitetPolitikëTë fundit

Dumani: Alarmuese, mijëra metra katrorë në Durrës u falsifikuan…

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë raportimit të tij në Kuvend, ka ngritur alarmin për skemat e falsifikimit të pronave në disa qytete të vendit, duke e cilësuar çështjen e pronave si një ndër më problematiket në vend dhe duke kërkuar që abuzimet me tokat shtetërore të marrin fund njëherë e mirë.

Dumani theksoi se kjo temë është në fokus të SPAK-ut dhe solli si shembull rastin e Lezhës, ku mijëra metra katrorë tokë të përfituara përmes falsifikimeve janë rikthyer në pronësi të shtetit me vendim gjykate.

Ai shtoi se hetimet kanë zbuluar raste të ngjashme edhe në Durrës, ku janë sekuestruar rreth 600 mijë metra katrorë tokë të përfituara me dokumente të falsifikuara, duke e cilësuar këtë si një“skemë të mirëorganizuar të falsifikimit të dokumenteve”.

“Çështja e pronave është një çështje shumë e ndjeshme dhe shumë problematike. E kemi evidentuar në hetimet tona. Është në fokusin e SPAK-ut. Unë sjell rastin e Lezhës. Nuk e di sa mijëra metra katrorë tokë u provua se ishin marrë përmes falsifikimit dhe këto mijëra metra katrorë tonë, u vendos me vendim gjykate t’i kalojnë shtetit. Një çështje tjetër që duhet të na alarmojë të gjithë, megjithëse është në fazën e hetimit paraprak, hetimet kanë treguar për falsifikimin masiv të mijëra e mijëra metrave katrorë tokë në një zonë shumë të preferuar të Durrësit dhe vetëm në atë procedim penal SPAK ka arritur të sekuestrojë, patjetër, nuk mund ta parashikoj si do shkojë gjykimi deri në fund, rreth 600 mijë metra katrorë tokë e përfituar vetëm përmes dokumenteve të falsifikuara. Një skemë e mirëorganizuar e falsifikimit të dokumenteve.”, tha Dumani.

Sipas kreut të SPAK-ut, raste të tilla janë evidentuar edhe në Vlorë dhe në qytete të tjera, ku rritja e vlerës së pronave ka nxitur abuzime të shumta. Ai bëri apel që të gjitha institucionet shtetërore të marrin përgjegjësitë e tyre për të parandaluar abuzimet me pronat publike.

“E njëjta gjë, kemi hetuar raste në Vlorë dhe në disa qytete të tjera, ku prona sidomos vitet e fundit ka njohur një rritje të madhe të vlerës së saj. Ka vëmendjen e SPAK-ut. Është kambanë alarmi për të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm për SPAK. Sepse në SPAK kemi ndjekjen penale, por përpara kësaj të gjitha institucionet duhet të ndjekin detyrën e tyre. Të marrë fund njëherë e mirë abuzimi me pronat shtetërore.”, vazhdoi Dumani.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com