AktualitetNATO/BETë fundit

Starmer do të nxitë aleatët për raketa me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën në samitin e Londrës

Kryeministri Sir Keir Starmer do të shtyjë aleatët që t’i sigurojnë Ukrainës më shumë raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektivat ruse në një takim në Londër të premten.

Ai do të presë Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky së bashku me të ashtuquajturin “koalicion të të vullnetshmëve”, i përbërë nga më shumë se 20 aleatë të Ukrainës të cilët kanë rënë dakord t’i ofrojnë Kievit garanci sigurie sapo të arrihet një armëpushim.

Zelensky ka kërkuar prej javësh më shumë armë me rreze të gjatë veprimi nga Perëndimi, një veprim që Rusia ka paralajmëruar se do të përshkallëzonte konfliktin.

Udhëheqësi i Ukrainës po udhëton nga Brukseli, ku u takua me udhëheqësit e BE të enjten duke kërkuar mbështetje financiare.

Zelensky vjen pas dy fitoreve diplomatike këtë javë: vendimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të aplikuar më në fund sanksione të mëtejshme kundër Rusisë dhe rënies dakord të Bashkimit Evropian për të financuar një boshllëk buxhetor të Ukrainës.

Sir Keir shpreson të ruajë vrullin duke rritur presionin mbi Moskën për të negociuar një fund të luftës.

Ndër udhëheqësit që do të marrin pjesë në samitin e së premtes do të jenë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen dhe ai i Holandës Dick Schoof. Të tjerë, përfshirë Presidentin Francez Emmanuel Macron, do të bashkohen virtualisht.

Sir Keir do t’u kërkojë udhëheqësve të rrisin furnizimin me armë me rreze të gjatë veprimi pas një sulmi të suksesshëm në një uzinë kimike në Bryansk të Rusisë, duke përdorur raketat Storm Shadow të furnizuara nga Britania.

“I vetmi person i përfshirë në këtë konflikt që nuk dëshiron të ndalojë luftën është Presidenti Putin”, tha Sir Keir.

“Dhe sulmet e tij të çoroditura ndaj fëmijëve të vegjël në një çerdhe këtë javë e bëjnë këtë shumë të qartë”, shtoi ai.

Dy fëmijë ishin midis të paktën shtatë të vrarëve në një valë sulmesh ruse në Ukrainë, të cilat goditën një çerdhe në qytetin e dytë më të madh Kharkiv.

Sir Keir do të njoftojë gjithashtu se 100 raketa shtesë të mbrojtjes ajrore do t’i dorëzohen Ukrainës më herët se sa ishte planifikuar, siç përcaktohet në një marrëveshje prej 1.6 miliardë funtesh të arritur midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës në mars.

“Herë pas here i ofrojmë Putinit mundësinë për t’i dhënë fund pushtimit të tij të panevojshëm, për të ndaluar vrasjet dhe për të tërhequr trupat e tij, por ai vazhdimisht i refuzon këto propozime dhe çdo shans për paqe”, tha Sir Keir.

Raketat me rreze të gjatë veprimi janë bërë një kërkesë kyçe në bisedimet e Zelensky-t me aleatët.

Trump hodhi poshtë mundësinë që SHBA-të t’i shesin raketa lundrimi Tomahawk Ukrainës, por Zelensky doli duarbosh nga një takim në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

Sir Keir do të konsultohet me aleatët perëndimorë se si të heqin naftën dhe gazin rus nga tregu global.

Ata gjithashtu do të diskutojnë përdorimin e aseteve të ngrira ruse për t’i siguruar Ukrainës kredi financiare, megjithëse plani u përball me mungesë konsensusi politik dhe pengesa ligjore në samitin e Brukselit të enjten.

BE-ja nuk pranoi një propozim për të përdorur deri në 140 miliardë euro (122 miliardë paund) në asete të ngrira ruse për të mbështetur financiarisht Ukrainën.

Megjithatë, udhëheqësit ranë dakord të ndihmojnë në mbështetjen e “nevojave financiare” të Ukrainës për dy vitet e ardhshme.

SHBA-të njoftuan gjithashtu sanksione të mërkurën kundër dy kompanive më të mëdha të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil, si pjesë e përpjekjeve për të shtuar presionin financiar mbi Moskën për të hyrë në negociatat e armëpushimit.

Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Aktualisht ajo kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë gadishullin jugor të Krimesë, të aneksuar nga Moska në vitin 2014.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com