Rama: Vijon puna për lirimin e hapësirave publike
Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme vijon në të gjithë vendin duke i paraprirë zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Ndërkohë shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 14358 raste të denoncuara.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet që po kryhen në kryeqytet, ku po vijon çlirimi i hapësirave publike.
“Vijojmë punën për të liruar hapësirat publike”, u shpreh Rama, krahas pamjeve të çmontimit të strukturave metalike të ngritura pa leje nga bizneset, por edhe prishjes së lavazheve që ndodhen në lagje të ndryshme të Tiranës.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në të gjithë territorin e vendit.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal parashikohen ndëshkime më të ashpra.
Një tjetër mekanizëm, që do të jetë në funksion të subjekteve private, do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.
Deri sot në portalin “Hapësira ime publike” ku qytetarët mund të denoncojnë shkeljet, janë raportuar 14 358 raste, nga të cilat janë zgjidhur 10 671 raste, ndërsa 3 687 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
Fraksion.com

