AktualitetPolitikëTë fundit

“Qarkullimi me monopatina”, Koçiu: Nisim hartimin e rregullave nga standardet teknike tek zonat e lejuara

Që prej ditës së hënë, 13 tetor, Policia e Shtetit ka ndaluar përkohësisht qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugët e vendit.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu mbodhi sot në një tryezë diskutimi, gjithë institucionet kryesore që luajnë rol kyç në sigurinë rrugore për hartimin e kuadrit ligjor.

Koçiu vuri në dukje në një postim në rrjetet sociale se pezullimi i lëvizjes me monopatina elektrike erdhi si një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve, deri në krijimin e një kuadri të qartë ligjor që rregullon përdorimin e tyre.

Në fokus të tryezës ishte hartimi i rregullave të reja që do të përcaktojnë standardet teknike të mjeteve, rregullat e qarkullimit dhe zonat e lejuara, si dhe përgjegjësitë e institucioneve që do të sigurojnë zbatimin e ligjit.

Sipas Koçiut, qëllimi është normimi i lëvizjes së monopatinave elektrike në mënyrë të sigurt, të organizuar dhe në përputhje me jetën urbane moderne të qytetit.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftuan ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave elektrike në të gjithë vendin, pas shtimit të shqetësimeve për sigurinë publike. Vendimi u mor pas një analize të detajuar të Policisë së Shtetit, e cila evidentoi rritje të ndjeshme të aksidenteve që përfshijnë këto mjete, kryesisht në zonat urbane.

 

Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com