AktualitetPolitikëTë fundit

“Janë konstatimet e vëzhguesve”, Raporti i ODIHR-it për zgjedhjet -Debate në komisionin e Ligjeve

Rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit ishin në fokus të diskutimeve në mbledhjen e përbashkët të komisionit të Ligjeve dhe Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Deputetë në këtë komision shqyrtuan rezolutat me rekomandime për disa institucione të pavarura, ndër të cilat edhe rezolutat për veprimtarinë e Komisionerit të Mbikqyrjes së Shërbimit Civil dhe Departamentit të Administratës Publike.

Duke iu referuar raportit të ODIHR-it, deputeti i Partisë Demokratike Ivi Kaso u ndal te konstatimet e këtij raporti mbi përfshirjen e administratës publike në fushatën zgjedhore.

“Janë konstatimet e vëzhguesve të ODIHR-it dhe jo pretendimet e politikanëve të opozitës që tregojnë me prova politizimin e thellë të administratës publike në çdo hap dhe transformimin e administratës publike që në ligj duhet të jetë e paanshme dhe në shërbim të shqiptarëve, në një trup të vetme që vepron si administratë elektorale e partisë në pushtet dhe këtë e thotë ODIHR”, tha Kaso.

Sipas tij, ka pamjaftueshmëri në funksionimin e çdo lloj institucioni mbikëqyrës. “Vijnë këtu dhe thonë se nuk kanë asnjë kapacitet dhe asnjë mundësi kontrolli. Se çfarë bëjnë operatorët publikë, administrata publike në raport me detyrimet që ka që të mos përzihet në fushatë zgjedhore për ne si Kuvend kjo duhet të përbëjë shqetësim të madh”, tha ai.

Nga ana e tij, kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja theksoi se raporti i ODIHR-it për zgjedhjet ka konstatime, ka vlerësime por ka edhe rekomandime të cilat duhet të adresohen me reformën zgjedhore.

“Raporti ka vlerësime pozitive sikurse ka edhe kritika. Mazhoranca ka një vlerësim të vetin për këtë raport edhe opozita po ashtu. Por ka rekomandime që duhet t’i adresojë komisioni i Reformës Zgjedhore. Palët politike i kanë të gjitha mundësitë që t’i adresojnë si duhet rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe të bëhet debat”, shtoi Manja.

Manja theksoi se rekomandimet e këtij raporti duhet të gjejnë vend në Kodin e ri Zgjedhor.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com