“S’jemi oficerë policie”, grabitja në Muzeun e Luvrit, rrëfimi befasues i rojës: I pashë autorët duke prerë xhamat
Teksa ankthi i hetuesve rritet në luftë me kohën për të gjetur gjurmët e bandës që grabiti në mënyrë spektakolare bizhuteritë me gurët e çmuar mbretërorë nga Muzeu i Luvrit në Paris të Francës fundjavën e kaluar, zbulohen dëshmi befasuese nga dita e ngjarjes.
Minutat e pakta të grabitjes së madhe me vlerë 88 mln euro, u rrëfyen nga një roje muzeu, që ishte i pranishëm në atë kohë në sallën “Apollo”.
Roja iu përgjigj nëpërmjet BFMTV kritikave që ai dhe kolegët e tij morën, të cilët u akuzuan për mosveprim.
“Ne jemi recepsionistë, jo oficerë policie. Prioriteti ynë është siguria e njerëzve dhe objekteve”, theksoi ai.
Në orën 09:30 të mëngjesit, kur ndodhi grabitja, zakonisht kishte midis 10 dhe 50 vizitorë në dhomën Apollon. Roja e sigurisë tha se mbrojtja e tyre duhej të sigurohej më parë. Ai vetë, tha se nuk doli plotësisht nga dhoma.
“U fsheha pranë një daljeje emergjence për të parë vendin e ngjarjes dhe për t’i përcjellë informacion policisë. I pashë duke prerë xhamin”, thotë ai. Roja e sigurisë thotë se brenda dhomës “nuk dëgjohej asgjë, për shkak të zhurmës nga rrota prerëse”.
Grabitësit nuk u përpoqën ta pengonin të shihte vendin e ngjarjes. Siç thotë ai, një gjë e tillë “nuk ishte përparësia e tyre. Ata ishin të interesuar për vitrinat. As nuk e di nëse na panë”. Në fund të fundit, shtoi ai, “grabitja ndodhi brenda pak minutash”.
Sidoqoftë, ai nuk mundi t’i dëgjonte çfarë po i thoshin njëri-tjetrit për shkak të zhurmës nga makina e prerjes së xhamave.
“Nuk do t’ju them se nuk kisha frikë, por nuk u ndjeva realisht i frikësuar, sepse ata ishin të vendosur dhe nuk u shqetësuan fare me ne”, vuri në dukje ai.
Pas falënderimeve të saj fillestare për stafin e sigurisë së Luvrit të dielën, Rachida Dati, Ministrja e Kulturës, përsëriti të martën, më 22 tetor, përmes gazetës Le Parisien, mbështetjen e saj për punëtorët.
“Nuk i pranoj këto sulme të synuara dhe instrumentalizimin e turpshëm të një ngjarjeje kaq të rëndë”, tha ajo.
Ministrja shprehu keqardhjen e saj “për informacionin e rremë që qarkullon që nga e diela, i cili vë në pikëpyetje sistemet e sigurisë së brendshme të muzeut dhe, për rrjedhojë, punonjësit përgjegjës për to”.
Dati përsëriti se “të gjitha sistemet e alarmit u aktivizuan në çdo shkelje, nga dritarja deri te vitrinat. Asnjë sistem nuk u dëmtua”.
Presidenti Emmanuel Macron i kërkoi kabinetit të tij të mërkurën “të përshpejtojë masat e sigurisë” në Luvër. Ai pret një listë propozimesh në zyrën e tij javën e ardhshme.
Fraksion.com

