AktualitetPolitikëTë fundit

Projektligji i ri “Për barazinë gjinore” forcon masat kundër diskriminimit

Projektligji i ri “Për barazinë gjinore” synon të forcojë mbrojtjen kundër diskriminimit gjinor dhe të garantojë të drejta të barabarta për burrat dhe gratë.

Ky projektligj zëvendëson ligjin e vitit 2008, duke sjellë një kuadër më të përshtatur me realitetin aktual dhe duke reflektuar standardet e reja të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa ligji në fuqi parashikon zbatimin e kuotës prej 30% në pozicionet vendimmarrëse, aktet ndërkombëtare kërkojnë praninë gjinore në masë të barabartë në pozicionet vendimmarrëse apo drejtuese.

Ndër risitë kryesore të p/ligjit të propozuar është vendosja e një kuote graduale për përfaqësim gjinor në nivelet e vendimmarrjes, duke synuar barazinë 50:50 në një afat 10-vjeçar, sipas rekomandimeve të CEDAW.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, theksoi se projektligji nuk krijon kategori të reja juridike të gjinive, por ndjek një qasje të integruar ndaj diskriminimit me bazë gjinore.

Ajo sqaroi se objektivi është eliminimi i pabarazive në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ekonomike, pa devijuar nga përkufizimet binare “burrë” dhe “grua”.

Projektligji parashikon forcimin e mekanizmave institucionalë, si rritja e rolit të nëpunësit për barazi gjinore në institucionet publike dhe private, si dhe qartësimin e kompetencave të Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore.

Gjithashtu, për herë të parë vendoset detyrimi për përfshirjen e dimensionit gjinor në të gjitha politikat dhe programet shtetërore, duke përfshirë buxhetimin dhe raportimin gjinor si mekanizma të detyrueshëm.

Në fushën e punës, theksoi Seferi, projektligji rishikon masat kundër diskriminimit në përputhje me direktivat e BE-së dhe Konventën C190 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

“Një dispozitë e veçantë i kushtohet punës së papaguar, ku INSTAT do të publikojë të dhëna periodike për përdorimin e kohës, ndërsa ministria përkatëse do të hartojë udhëzimet për zbatimin e këtij detyrimi”, deklaroi ajo.

Projektligji ofron gjithashtu të drejtën për të kërkuar shpërblim për dëmet e shkaktuara nga diskriminimi, përmes gjykatave ose organeve publike, duke ruajtur barrën e përmbysur të provës.

Sektorë si arsimi, teknologjia, bujqësia, media, sporti, shëndetësia, mbrojtja, infrastruktura, energjia dhe kultura, do të duhen të ndërmarrin masa konkrete për nxitjen e barazisë gjinore.

Përmes këtij projektligji, Shqipëria synon të përmbushë objektivat kombëtare dhe ndërkombëtare për barazi gjinore dhe të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com