AktualitetPolitikëTë fundit

“Duhet hequr në mënyrë urgjente”, Bylykbashi: Sistemi zgjedhor aktual toksik për pluralizmin shqiptar

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, deklaroi sot se, sistemi zgjedhor aktual ka dështuar dhe duhet hequr në mënyrë urgjente

Në fjalën e tij në panelin për reformën zgjedhore në Konferencën “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, që u zhvillua sot në Tiranë, Bylykbashi u shpreh se “reforma e fundit zgjedhore konsensuale është ajo e vitit 2012″.

Sipas tij, reforma e vitit 2020 ku u bënë ndryshime të gjera me konsensus u shkatërrua nga ndryshimet e njëanshme, kushtetuese të sistemit zgjedhor. Bylykbashi e cilësoi sistemin zgjedhor si të imponuar me qëllim arritjen e fitores nga njëra palë.

Ai theksoi se sistemi aktual pengon pluralizmin dhe përfaqësimin e drejtë, duke dëmtuar besimin e publikut në procesin zgjedhor.

“Ne sot kemi një sistem zgjedhor, i cili duhet hequr në mënyrë urgjente. Është kthyer në një nga elementët më toksikë në raport me demokracinë dhe pluralizmin shqiptar”, tha deputeti i PD.

Bylykbashi kujtoi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke cituar raportin e OSBE-ODIHR, sipas të cilit, partia-shtet po përfiton nga ligji zgjedhor”.

Bylykbashi shtoi se problem i rëndësishëm mbetet edhe vota e diasporës, duke theksuar se, “vota e diasporës është problem tjetër që duhet trajtuar me seriozitet”.

Ai theksoi më tej se, “me këtë reformë zgjedhore, ne nuk kemi asnjë standard që kërkon Bashkimi Evropian sot”, duke vënë në dukje nevojën urgjente për ndryshime, që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sipas Bylykbashit, vetëm përmes një reforme gjithëpërfshirëse mund të arrihet besimi i qytetarëve dhe integrimi i Shqipërisë në standardet demokratike europiane.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com